Zelensky zbulon propozimin për armëpushim 30-ditor: Presim përgjigjen e Rusisë

- Bota Sot

Zelensky zbulon propozimin për armëpushim 30-ditor: Presim përgjigjen e Rusisë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka dhënë më shumë detaje lidhur me propozimin për një armëpushim 30-ditor, të cilin e ka dakorduar me liderët e Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Polonisë. Sipas tij, armëpushimi i propozuar do të përfshijë ndaljen e luftimeve në të gjitha frontet – në ajër, det dhe tokë – duke filluar nga e hëna, 12 maj.

“Një armëpushim pa kushte për 30 ditë, duke filluar nga e hëna, 12 maj, ‘në ajër, në det dhe në tokë’. Mbikëqyrja e zbatimit të tij është plotësisht e realizueshme”, tha Zelensky, duke shtuar se kjo është “realiste me koordinimin me SHBA-në”.

Gjatë kësaj periudhe, pritet që të nisin negociatat për një marrëveshje paqeje që përfshin sigurinë, aspektet politike dhe çështjet humanitare. Nëse Rusia refuzon ofertën për armëpushim të pakushtëzuar, Zelensky paralajmëroi se do të ketë sanksione të reja, posaçërisht ndaj sektorëve energjetikë dhe bankarë rusë.

“U ra dakord që një prioritet i qartë është forcimi i forcave të mbrojtjes dhe sigurisë së Ukrainës si një garanci themelore e sovranitetit”, shtoi ai.

Presidenti ukrainas bëri të ditur gjithashtu se vendet e BE-së janë duke punuar së bashku me Britaninë, SHBA-në dhe Norvegjinë për të përgatitur një paketë të re të sanksioneve.

“Ne ndajmë një qëndrim të përbashkët: nevojitet një armëpushim i menjëhershëm, i plotë dhe i pakushtëzuar që zgjat të paktën 30 ditë”, tha ai, duke shtuar: “Ne propozojmë që të fillojë të hënën, më 12 maj. Ne presim përgjigjen e Rusisë”.



Read it all at Bota Sot