Nga veshja te vendi i banimit dhe mënyra se si do të udhëheq Kishën Katolike, çfarë pritet të ndodh ditët në vijim me Papa Leonin

- Bota Sot

Nga veshja te vendi i banimit dhe mënyra se si do të udhëheq Kishën Katolike, çfarë pritet të ndodh ditët në vijim me Papa Leonin

Vetëm pak orë pas shfaqjes së tij të parë publike nga ballkoni me pamje nga Sheshi i Shën Pjetrit të enjten në mbrëmje, Papa Leoni XIV, u rikthye në rezidencën Sant’Uffizio, aty ku kishte qëndruar gjatë dy muajve të fundit.

Në këtë ambient e pritën me entuziazëm anëtarë të stafit dhe ish-kolegë, të cilët i shtrënguan duart dhe i uruan detyrën e re.

Një vajzë e re i afroi një Bibël për ta bekuar dhe nënshkruar. “Sigurisht,” tha Papa duke buzëqeshur, “edhe pse duhet të provoj nënshkrimin tim të ri, ai i vjetri nuk më hyn më në punë”.

Vetëm pak orë më parë, Robert Francis Prevost, kardinali 69-vjeçar nga Çikago, kishte ndërruar emrin dhe jetën e tij, duke u bërë Papa Leoni XIV.

Megjithatë, mbetet ende e paqartë se si do të drejtojë Kishën Katolike. Në javët në vijim, çdo detaj i zgjedhjeve të tij, nga veshjet deri te vendbanimi, do të analizohet me kujdes.

Madje, edhe zgjedhja e tij për të mbajtur një kryq të artë në qafë në paraqitjen e parë u interpretua si një largim nga thjeshtësia e paraardhësit të tij, Papa Françesku, i cili mbante një medaljon të thjeshtë argjendi.

Një tjetër tregues për qasjen e tij tradicionale ishte fakti se fjalimi i tij para kardinalëve në Kapelën Sistine të premten në mëngjes ishte i përgatitur paraprakisht, ndryshe nga stili më spontan i Papës Françesku. “Duket se Leoni do të jetë më afër traditës,” komentoi autori dhe analisti katolik Austin Ivereigh.

Papa i ri pritet të japë më shumë sinjale në ditët në vazhdim. Të hënën ai do të zhvillojë takimin e parë me mediat, ndërsa më 18 maj do të kremtojë meshën e tij inaugurale në Sheshin e Shën Pjetrit, në prani të shumë liderëve botërorë.

Kjo meshë, ashtu si edhe homelia e saj, do të jenë një mundësi për Papën e ri që të zbulojë prioritetet e tij. Kur Papa Françesku mbajti fjalimin e parë në vitin 2013, ai bëri thirrje për mbrojtjen e krijimit dhe të ambientit, duke u drejtuar veçanërisht udhëheqësve ekonomikë, politikë dhe socialë.

Një tjetër pikë që pritet me kuriozitet është vendbanimi që do të zgjedhë Leoni XIV. Ndërsa Françesku bëri bujë duke zgjedhur ambientet modeste të Casa Santa Marta-s, Papa i ri mund të rikthehet në traditën e shumicës së paraardhësve të tij, duke jetuar në Pallatin Apostolik.

“Është ende herët, duhet t’i japim kohë për të marrë vendimet e tij,” thanë burime nga Vatikani për mediat italiane. “Çdo ditë do të sjellë më shumë të dhëna mbi drejtimin që do të marrë”.



Read it all at Bota Sot