Me 5 korrik të vitit 1990 forcat policore serbe hyjnë dhunshëm në Radio Televizionin e Prishtinës duke larguar punonjësit nga objekti.
Ish-gazetari i RTP-së, Nuhi Bytyqi, ishte dëshmitar i asaj ngjarjeje.
Ai na tregon me detaje se çfarë ndodhi atë ditë korriku.
“E mbaj mend shumë mirë, atë ditë me 5 korrik Kuvendi i Serbisë në mënyrë anti-kushteteuse aplikoi masat e dhunshme në Radio Televizionin e Prishtinës dhe në gazetën Rilindja por ne gazetarët dhe redaktorët e Televizonit të Prishtinës bënim përpjekje që edhe në këto rrethana të kryenim detyrën tonë, të informonim opinionin se çfarë po ndodh në Kosovë.Unë qëllova në zyrën time dhe aty hyri pikërisht i njëjti komandant që më kishte ndërprerë incizimin e intervistës me 2 korrik dhe pas tij ishin dhe dy policë të tjerë me automatik në gjendje gadishmërie, mendonin se do të na frikësonin, por unë nuk u frikësova fare, isha në vendin tim të punës.
Rezistova që ai mos t’i merrte disa kaseta që kisha unë në tavolinë, mendoja që t’i montoja për edicionin qendror të lajmeve të orës 19:30 por ai u kërcënua dhe nuk pata rrugë tjetër. Ne tentuam të vazhdojmë punën edhe në ato rrethana por ishte e pamundur që të punohej pranë tytave të policëve serbë. Megjithatë ne nuk u dorëzuam dhe nuk pranuam në asnjë mënyrë që në lajmet e orës 19:30 të punojmë sipas diktatit të Beogradit i cili kishte caktuar një drejtor të dhunshëm dhe ai kishte ardhur me direktiva të qarta nga Beogradi që gazetarët dhe redaktorët shqiptarë të RTP-së ti dirigjojë se si të informojnë. Ne s’pranuam në asjë mënyrë këtë dirigjim dhe siç dihet prej 5 korrikut deri me 19 shtator 1999 kur Kosova u çlirua, Televizioni i Prishtinës ishte i mbyllur për shqiptarët” tha Bytyqi për dokumentarin ‘Expose’.