Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka ftuar Ukrainën të marrë pjesë në “bisedime të drejtpërdrejta” më 15 maj, vetëm pak orë pasi liderët evropianë i bënë thirrje Moskës të pranojë një armëpushim 30-ditor.
Në një fjalim të rrallë të transmetuar drejtpërdrejt natën vonë nga Kremlini, presidenti Putin tha se Rusia po kërkon “negociata serioze” me qëllim “të ecjes drejt një paqeje të qëndrueshme dhe të fortë”, raporton BBC.
Më herët të shtunën, kryeministri britanik Sir Keir Starmer udhëtoi drejt Kievit së bashku me homologët e tij nga Franca, Gjermania dhe Polonia për të ushtruar presion mbi Rusinë që të angazhohet për një armëpushim të pakushtëzuar, duke filluar nga e hëna.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha më vonë se Moska “duhet ta mendojë mirë këtë”, por paralajmëroi se “përpjekjet për të ushtruar presion mbi ne janë krejtësisht të kota”.
Në deklaratën e tij, Putin tha se nuk mund ta "përjashtojë" mundësinë që bisedimet të çojnë në një "armëpushim të ri" mes Rusisë dhe Ukrainës. Megjithatë, ai nuk iu përgjigj drejtpërdrejt thirrjeve për një armëpushim 30-ditor.
Lideri rus tha se bisedimet e propozuara duhet të mbahen në qytetin turk të Stambollit, ashtu si më parë, dhe se ai do të flasë me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan të dielën për të diskutuar detajet.