Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ka zhvilluar një telefonatë me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe, si dhe zhvillimet globale dhe rajonale.
Drejtoria e Komunikimit e Turqisë njoftoi se Erdogan gjatë telefonatës tha se është arritur një "pikë kthese historike" në përpjekjet për ti dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës dhe theksoi rëndësinë e shfrytëzimit të mundësisë për të siguruar paqen.
"Turqia është e gatshme të kontribuojë në çdo mënyrë, duke përfshirë edhe mikpritjen e negociatave, për të ndihmuar në vendosjen e një armëpushimi dhe paqeje të përhershme", tha Erdogan, transmeton Anadolu.
Presidenti turk gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Francën në fillimin e bisedimeve afatgjata të paqes dhe mbështetjen e procesit të rindërtimit të Ukrainës pas luftës.
Biseda telefonike pasoi një konferencë për media gjatë natës në Moskë, ku presidenti rus, Vladimir Putin, propozoi rifillimin e negociatave të drejtpërdrejta për paqe midis Moskës dhe Kievit në Stamboll duke filluar nga e enjtja.
Putin tha se ka planifikuar bisedime nesër me presidentin Erdoğan për ti kërkuar atij të japë dritën jeshile për zhvillimin e negociatave në vend.
Erdogan, një kampion i hershëm i zgjidhjes së konfliktit, vazhdimisht ka ofruar që Turqia të jetë nikoqire e bisedimeve të paqes dhe të bëjë gjithçka që mundet për të promovuar një zgjidhje, pasi Turqia gëzon marrëdhënie të mira si me Rusinë ashtu edhe me Ukrainën.