Prizreni dhe rajone të Kosovës përballen me mungesë të energjisë elektrike që nga orët e para të së dielës

- Gazeta e Prizrenit

Prizreni dhe rajone të Kosovës përballen me mungesë të energjisë elektrike që nga orët e para të së dielës

Prizreni me rrethinë dhe disa rajone të tjera të Kosovës janë përballur me mungesë të energjisë elektrike që nga orët e para të mëngjesit të së dielës, pas ndalimit të njësisë A4 të Termocentralit Kosova A për shkak të defekteve në ventilatorët e kullës ftohëse. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njoftoi se ndalesa është ndërmarrë për të parandaluar defekte më të mëdha dhe për të mundësuar ndërhyrje të shpejtë teknike.

Sipas njoftimit të KEK-ut, kjo ndalesë ka ndikuar në furnizimin me energji elektrike në disa rajone të Kosovës, përfshirë Prizrenin, Dragashi, Ferizajn, Lipjanin, Gjakovën, Malishevën, Gjilanin, Shtimen dhe Istogun. Konsumatorët në këto zona kanë raportuar mungesë të energjisë elektrike, veçanërisht gjatë orëve të mëngjesit të së dielës.

“Partnerët tanë afaristë janë njoftuar me kohë për këtë ndalesë, dhe kapaciteti i kësaj njësie nuk është planifikuar për prodhim gjatë ditës së nesërme.

Ekipet e Termocentralit Kosova A janë në gjendje të plotë gatishmërie dhe do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për identifikimin dhe sanimin e defektit, sapo të krijohen kushtet teknike.

Objektivi ynë mbetet rikthimi i njësisë në operim sa më parë që të jetë e mundur”, thuhet në njoftimim e KEK-ut.



Read it all at Gazeta e Prizrenit