Një video e presidentit francez Emmanuel Macron gjatë një takimi me homologët e tij britanik dhe gjerman është publikuar në rrjetet sociale.
Videoja është bërë virale pasi shumë njerëz dyshojnë se Macron fshehu një qese me kokainë.
Në video, Macron është i ulur me kryeministrin britanik Keir Starmer dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz në tren që udhëton nga Polonia në Ukrainë. Videoja e shfaq Macronin duke e tërhequr shpejt një objekt të bardhë nga tavolina me dorën e djathtë, pastaj duke e zhvendosur në dorën e majtë dhe poshtë tavolinës.
Pas publikimit të pamjeve, filluan spekulime të shumta në internet, shumë prej të cilave sugjerojnë se objekti i bardhë në tavolinë ishte në fakt një qese me kokainë.
“Tre burra dhe një qese me pluhur të bardhë”, është një nga komentet në platformën sociale X.
Mediat franceze i kanë hedhur poshtë pretendimet e tilla si teori konspiracioni. Ato raportojnë se objekti i bardhë ishte thjesht një ‘facoletë e mbështjellë’.
Fotot dhe videot me cilësi të lartë, si ato të bëra nga agjencitë e lajmeve AFP ose AP, tregojnë se objekti është në fakt një facoletë e mbështjellë në formë topi, raportoi gazeta franceze Libération.
Teoritë për “kokainë” përshtaten me narrativën se elitat perëndimore janë të shthurura dhe se i qasen luftës në Ukrainë në mënyrë të pavetëdijshme.