I dëmtuari për 6 (gjashtë) muaj rresht vazhdon të paguaj nga 300 (treqind) euro kamata mujore, pastaj në muajin mars të vitit 2023 i dëmtuari me qëllim të mbylljes së fajdesë sërish nga i pandehuri merr të holla në shumë prej 4.000 € (katër mijë euro), ku me rastin e dhënies së të hollave i pandehuri e paralajmëron se duhet të paguaj 700 € (shtatëqind) euro kamatë mujore, pastaj i pandehuri për shumën e të hollave në vlerë prej 7.000 € (shtatëmijë euro), kërkon kamatë mujore në shumë prej 1.500 € (njëmijë e pesëqind) euro, të cilën shumë i dëmtuari i jep me datë 07.11.2024, me ç’rast i pandehuri me paratë e marra arrestohet në flagrancë, me ç’rast i dëmtuari përveç borxhit bazë tek i pandehuri ka paguar kamatë në vlerë prej 18.000 (tetëmbëdhjetë mijë) euro, me të cilat veprime të dëmtuarit i shkakton dëm material në vlerën e lartcekur. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së.
Po ashtu, i pandehuri D.SH., me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit, seriozisht e kanos të dëmtuarin F.K., me fjalë se do ta privoj nga jeta, në atë mënyrë që përmes rrjetit social “Facebook”, i shkruan mesazhe me përmbajtje kërcënuese, me të cilat veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij dhe familjen. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Kanosja” sipas KPRK-së.
Gjithashtu, i pandehuri D.SH., pasi arrestohet nga ana e policisë për veprën penale “Fajdeja”, pas kontrollit trupor, të njëjtit i është gjetur një mbështjellje me foli alumini të materies së bimës së tharë të llojit marihuanë dhe 1 (një) filtër i cigares e cila dyshohej të jetë substancë narkotike e llojit marihuanë, të cilat janë sekuestruar nga ana e policisë, dhe pas testimit të kësaj substance, ka rezultuar të jetë pozitiv me përmbajtje të marihuanës, në peshë prej 1.2 gram. Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” sipas KPRK-së.
Ndërsa, i pandehuri A.SH., me datë 06.12.2024, në Prizren, me qëllim të frikësimit, shkaktimit të ankthit, seriozisht i kanos me fjalë se do t’i privojë nga jeta ose do t’i rrëmbejë të dëmtuarit F.K., dhe F.K., – i cili ishte viktimë e ndjeshme për shkak të moshës së mitur, në atë mënyrë që i pandehuri duke qenë në dijeni se i dëmtuari F.K., është viktimë e veprës penale të fajdesë, në të cilën rast i pandehur është djali i axhës së tij – D.Sh., ashtu që i pandehuri A.Sh., në mënyrë që të ndikojë tek i dëmtuari F.K., që i njëjti të tërheq deklaratën e tij në prokurori, përmes aplikacionit “WhatsApp”, mes tjerash i shkruan të dëmtuarit F.K.,(të miturit) mesazhe me përmbajtje kërcënuese, me të cilat veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij dhe familjen. Me këto veprime, i pandehuri A.Sh., ka kryer veprën penale “Kanosja” sipas KPRK-së.
Po ashtu, konform dispozitave të nenit 235 të KPP-së, prokurori i rastit ka propozuar që si mjete të kryerjes dhe dobi pasurore, të pandehurit D.Sh., t’i konfiskohen sendet të cilat i kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe të cilat janë dobi pasurore e fituar me vepër penale, për të cilat është lëshuar Urdhër Ndalues Përfundimtar nga Gjykata, duke përfshirë një (1) automjet, telefona dhe të holla.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprt penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.