Barcelona është shumë afër titullit në La Liga për këtë sezon, por katalanasit nuk kanë kohë për të humbur dhe kanë filluar që tani nga puna për të përgatitur ekipin për sezonin e ardhshëm.
Katalanasja “Sport” raporton se drejtori sportiv, Deco, ka përgatitur një listë me të paktën 9 lojtarë, të cilët pritet të largohen nga Barcelona këtë verë.
Klubi ka nevojë për përforcime (një mbrojtës krahu, një mesfushor sulmues dhe një sulmues i gjithanshëm), por te Barcelona janë të vetëdijshëm se para se të nënshkruajnë, duhet të shesin.
Situata financiare kërkon gjenerimin e të ardhurave dhe vendimet e vështira nuk përjashtohen. Deco e ka bërë të qartë se askush, përveç Lamine Yamal, nuk është i paprekshëm.
Sipas raportimit të “Sport”, emrat që mund të largohen nga Barcelona këtë verë janë: Inaki Pena, Araujo, Hector Fort, Fermin Lopez, Gavi, De Jong (nëse nuk rinovon), Pablo Torre, Pau Victor dhe Ansu Fati. Objektivi është i qartë: të lirohen pagat dhe të sigurohen të ardhura për të bërë të mundur transferime të nivelit të lartë për të arritur për të plotësuar nevojat e Hansi Flick.