Interi luan për gjithçka ose asgjë

- Bota Sot

Interi luan për gjithçka ose asgjë

Në kampin zikaltër fryn një erë e mirë, aq sa duket se asgjë nuk mund të shkojë keq. Me finalen e Champions League në horizont dhe titullin e Serie A që është rihapur në mënyrë të papritur,

Simone Inzaghi është gati të rikthejë në fushë senatorët për të provuar dopietën sezonale. Kjo do të ishte mbyllja më e mirë e mundshme e një sezoni që është tashmë jashtëzakonisht pozitiv.

Kalendari është i ngjeshur, edhe për shkak të mundësisë, sado të vogël, të një ndeshjeje shtesë për titullin (nëse Napoli dhe Interi e mbyllin me pikë të barabarta). Ndaj Lazios, Comos dhe PSG-së do të zbresin gjithmonë në fushë më të mirët: nga Sommer te Calhanoglu, duke kaluar te Barella dhe Thuram. I vetmi përjashtim i momentit është Lautaro Martinez, i cili për arsye parandaluese do të mungojë ndaj bardhekaltërve.

Me “infermierinë” që po zbrazet gradualisht, ideja është e dyfishtë: nga njëra anë, t’i kërkohet grupit një përpjekje e fundit për të arritur të dy objektivat sezonalë; nga ana tjetër, të përgatiten sa më mirë për finalen kundër PSG-së, e cila është padyshim synimi madhor.

Fakti që kampionati është rihapur është pozitiv edhe për aspektin psikologjik. Të mos menduarit në mënyrë obsesive për finalen e Mynihut do t’i lejojë zikaltërit të arrijnë aty me përqendrim maksimal, por pa peshë mendore të panevojshme. Nëse do të arrijnë ta luajnë finalen me “scudetto” në xhep, atëherë do të kenë “karburant” shtesë për këmbët, sepse asgjë nuk të jep më shumë forcë sesa një fitore.

Ndeshja ndaj Lazios është e një rëndësie të madhe, edhe sepse skuadra bardhekaltër, në garë për një vend në Champions, nuk do të jetë aspak kundërshtar i lehtë. Për më tepër, rezultati nga Parma, ku do të jetë mysafir Napoli, mund ta ndikojnë ecurinë e sfidës në “San Siro”. Dhe sigurisht, ato që ndodhin në “San Siro”, mund t’i shtojnë presion skuadrës së Antonio Contes.

Ndërkohë që trajneri salentin përballet me disa mungesa, Inzaghi rikuperon Frattesi, Pavard dhe Mkhitaryan, të cilët do të jenë në stol, por në dispozicion. Pastaj do të punohet për rikthimin e Lautaros.

Të gjitha këto ndodhin në javën vendimtare që do të mbyllë kampionatin dhe do të hapë fazën përgatitore për finalen e Champions-it më 31 maj. Po shkohet drejt finishit, ndaj është koha për të “korrur” frytet e sezonit: gjithçka ose asgjë, për të shkruar sërish historinë e Interit.



Read it all at Bota Sot