Gështenja, dëshmitare e ngritjes dhe rënies së Perandorisë Romake

- Bota Sot

Gështenja, dëshmitare e ngritjes dhe rënies së Perandorisë Romake

Pemët e gështenjës në Evropë tregojnë një histori të fshehur që pasqyron ndikimin e Perandorisë Romake në pyjet e kontinentit, sipas BBC.

Përveç rrugëve të drejta, akueduktëve dhe gjuhës latine, romakët përhapën edhe kultivimin e gështenjës, jo për t’u ushqyer, por për drurin e saj që rritet shpejt dhe përdorej për ndërtim e zgjerim ushtarak. Ata sollën edhe teknikën e prerjes për rigjenerim të pemës, që ndihmoi përhapjen e saj në gjithë kontinentin.

Sipas studiuesve zviceranë, romakët e sollën gështenjën në rajone ku nuk gjendej natyrshëm, si në Ticino të Zvicrës.

Përpara ardhjes së tyre, gështenja ishte zhdukur në këto zona pas epokës së akullnajave. Hulumtimi bazohet në analizën e polenit të lashtë dhe dokumenteve romake, që tregojnë se pas vitit zero, poleni i gështenjës u shtua ndjeshëm, ndërsa pas shekullit të pestë, me rënien e Perandorisë, sasia e tij ra përkohësisht.

Në vendet si Zvicra, Franca dhe Gjermania, poleni i gështenjës ishte i rrallë para romakëve, ndërsa u bë i zakonshëm gjatë pushtimit të tyre. Përkundrazi, arrat u përhapën edhe para romakëve, ndoshta nga grekët ose kultura të tjera para-romake.

Në Britani, gështenja mund të jetë sjellë pas epokës romake, sipas studimeve të veçanta. Edhe pse shumica e pemëve aktuale nuk janë mbjellë nga romakët, ato janë pasardhëse të pemëve të kultivuara nga ushtarët dhe pylltarët romakë. Gështenjat mund të jetojnë deri në një mijë vjet dhe mund të arrijnë lartësi deri në tridhjetë e pesë metra.

Romakët nuk e vlerësonin shumë për ngrënie gështenjën, e cila shihej si ushqim fshatarësh, por e çmonin drurin për aftësinë e tij të rigjenerohej shpejt dhe të ishte rezistuese. Druri përdorej për ndërtimin e fortesave e strukturave të tjera. Në Ticino, për shembull, gështenja u bë specia mbizotëruese duke zëvendësuar pemët vendore.

Nga Mesjeta, ajo ishte kthyer në burim ushqimor bazë – gështenjat përdoreshin për miell, ndërsa pemët rriteshin edhe në toka të pjerrëta e shkëmbore ku kulturat e tjera nuk mbijetonin.

Kjo simbiozë mes njeriut dhe gështenjës i dha pemës jetëgjatësi të jashtëzakonshme – në pyje të egra jeton rreth dyqind vjet, por në Ticino, kur kultivohet e menaxhohet, arrin gati një mijëvjeçar.

Romakët sollën dijet dhe teknikat, por popullsitë lokale ishin ato që i zbatuan në praktikë dhe ruajtën trashëgiminë. Fjala “gështenjë” në shumë gjuhë evropiane rrjedh nga gjuha latine “castanea”.

Sot, pemët e gështenjës në Evropë përballen me sëmundje, ndryshime klimatike dhe braktisjen e plantacioneve tradicionale. Megjithatë, festa dhe shtigje të dedikuara për gështenjën në Ticino dhe rajone të tjera të Alpeve e mbajnë gjallë kujtesën e rolit që luajtën romakët dhe komunitetet lokale në historinë e pyjeve evropiane.



Read it all at Bota Sot