Delegacionet nga Rusia dhe Ukraina do të takohen për bisedime të drejtpërdrejta për paqe për herë të parë pas më shumë se tre vjetësh në Stamboll. Megjithatë, përbërja e tyre do të jetë në nivel teknik, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë.
Bisedimet do të mbahen më 15 maj, në Pallatin Dolmabahçe, në Stamboll, dhe do të zhvillohen në mënyrë private, pa praninë e mediave, kanë raportuar mediat ruse.
Ministria e Jashtme ruse njoftoi se bisedimet janë shtyrë për gjysmën e dytë të ditës, me nismë të Turqisë. Më herët ishte paralajmëruar që bisedimet do të mbaheshin në orët e paradites.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mbërriti në Turqi të enjten, ku tha se po e dërgon një ekip, të kryesuar nga ministri i tij i Mbrojtjes, për bisedimet me delegacionin rus në Stamboll.
Zelensky e ndërmori këtë hap pasi Putini nuk pranoi të merrte pjesë në një takim ballë për ballë me të në Turqi.
Zelensky u tha gazetarëve në një konferencë shtypi në kryeqytetin turk, Ankara, se delegacioni rus nuk përfshin “askënd që merr vendime realisht”, duke akuzuar Moskën se nuk i merr seriozisht përpjekjet për t’i dhënë fund luftës.
Ai kishte deklaruar më herët se ishte i gatshëm të takohej vetëm me Putinin dhe jo me zyrtarë të tjerë të nivelit të ulët nga Moska.
Pritshmëritë se presidenti amerikan, Donald Trump, mund të merrte pjesë në bisedime u shuan, kur një deklaratë e Kremlinit njoftoi se Putin kishte nënshkruar më 14 maj një urdhër për të emëruar katër negociatorë dhe katër ekspertë që do të përfaqësojnë Rusinë.
Trump, i cili po zhvillon një vizitë katërditore në disa vende të Lindjes së Mesme, kishte thënë më herët se mund të ndalej në Turqi, nëse kjo do ta bënte Putinin të merrte pjesë.
“Nuk e di nëse ai [Putini] do të shkonte, nëse unë nuk jam atje”, u tha Trump gazetarëve nga Air Force One më 14 maj, teksa po fluturonte nga Arabia Saudite në Katar.
“E di që ai do të donte të isha atje – dhe kjo është e mundur. Nëse do të mund ta ndalonim luftën, do ta konsideroja me seriozitet”.
Mediat amerikane raportuan se të dërguarit amerikan, Steve Witkoff dhe Keith Kellogg, pritet të jenë në Stamboll.
Deklarata e Kremlinit konfirmoi se zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Aleksandr Fomin, i cili kishte marrë pjesë në bisedimet e para mes palëve pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, do të jetë pjesë e delegacionit rus.
Delegacioni do të drejtohet nga Vladimir Medinsky, këshilltar i Putinit, i cili gjithashtu kishte marrë pjesë në rundin e fundit të bisedimeve më shumë se tre vjet më parë. Medinsky konsiderohet si një figurë me ndikim në promovimin e pretendimeve historike të Rusisë ndaj një pjese të madhe të territorit ukrainas dhe ka qenë autor i disa librave shkollorë me interpretim nacionalist të historisë ruse, që janë kontestuar nga historianë të pavarur.
Ndër negociatorët e emëruar është edhe Igor Kostyukov, drejtor i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës (GRU) – agjencia e inteligjencës ushtarake të Rusisë. Kostyukov është përmendur nga Kremlini si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ruse.
Përzgjedhja e delegacionit rus për bisedimet e para të drejtpërdrejta me Ukrainën, pas më shumë se tre vjetësh, po shihet si një degradim i qëllimshëm diplomatik, sipas ekspertëve që folën për Current Time.
Margarita Zavadskaya nga Instituti Finlandez për Çështje Ndërkombëtare tha se delegacioni është “një listë pa emra të njohur”, i udhëhequr nga ish-ministri Vladimir Medinsky, të cilin ajo e cilësoi si “të tërhequr politikisht”.
“Kjo mund të jetë një përpjekje për të zvarritur apo shmangur përfshirjen në nivel të lartë”, tha ajo, duke shtuar se mund të jetë edhe një taktikë për të mos e provokuar presidentin amerikan, Donald Trump, ndërkohë që Putin mban hapur mundësinë për manovrim.
Analistja ukrainase, Olesya Yakhno, tha se përfshirja e zyrtarëve të lartë ushtarakë rusë tregon se temat ushtarake do të jenë në fokus. Por, ajo paralajmëroi se nuk priten rezultate konkrete: “Asnjëri prej tyre nuk ka autoritet për të marrë vendime përfundimtare pa aprovimin e Putinit”.
Ajo shtoi se bisedimet duhet të përqendrohen në çështje praktike, si përcaktimi i vijës së armëpushimit, dhe jo në tema të pazgjidhura si statusi ligjor i territoreve. “T’i vësh këto në tryezë tani vetëm do të bllokojë përparimin”, tha ajo.
Negociatorët kishin zhvilluar disa runde bisedimesh në mars të vitit 2022 në Bjellorusi dhe në Turqi, por ato bisedime u ndërprenë pa rezultat.
Presidenti ukrainas, Zelensky, i cili kishte sfiduar Putinin për një takim ballë për ballë në bisedimet që do të zhvillohen në Stamboll, deklaroi më herët gjatë javës se mungesa e Putinit është një sinjal i qartë se ai nuk është i interesuar realisht për paqe.
“Po pres të shoh kush do të vijë nga Rusia. Më pas do të vendosim çfarë hapash duhet të ndërmarrë Ukraina”, deklaroi Zelensky, më 14 maj.
Ai kishte shprehur gatishmërinë për një takim të drejtpërdrejtë me Putinin pas thirrjes së këtij të fundit për bisedime direkte. Megjithatë, Zelensky kishte theksuar se nuk do të pranonte të takohej me një delegacion rus, por vetëm me presidentin Putin.
Putin kishte propozuar negociata direkte, “pa asnjë parakusht”.
Bisedimet synojnë të çojnë drejt një marrëveshjeje paqeje midis Kievit dhe Moskës, për t’i dhënë fund konfliktit më të rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Megjithatë, mungesa e presidentëve ka zbehur ndjeshëm pritjet për ndonjë përparim të madh në këtë proces.
Skepticizmi për suksesin e bisedimeve ishte i pranishëm edhe para se të bëhej e qartë se as Putin dhe as Trump nuk do të merrnin pjesë.
Ambasadori i Lituanisë në Suedi, Linas Linkevičcius, i tha televizionit Current Time se edhe pse të gjithë dëshirojnë një përparim, ai nuk sheh asnjë bazë reale për këtë, pasi qëndrimet fillestare të të gjitha palëve janë thellësisht të ndryshme.
“Nuk po flitet për interesat e Ukrainës, për përgjegjësinë ligjore [të Rusisë], e cila është thelbësore për të gjitha krimet që janë kryer nga ajo dhe udhëheqësi i saj”, tha Linkevicius. “Nuk mund t’i anashkalojmë këto dhe të pretendojmë sikur gjithçka është në rregull dhe po vazhdojmë si zakonisht”.
Linkevicius parashikoi se Rusia do të mbajë fjalime për “shkaqet rrënjësore” të konfliktit dhe vetëm pasi të adresohen ato, mund të jetë e gatshme të flasë për një armëpushim të mundshëm. “Me fjalë të tjera, nuk do të ketë armëpushim sërish”, tha ai. “Ata do të zvarriten për të fituar kohë dhe, sipas mendimit tim, për t’u përgatitur për një ofensivë verore”.
Në një intervistë për gazetën franceze Le Monde, shefi i kabinetit të presidentit ukrainas, Andriy Yermak, deklaroi se mungesa e Putinit më 15 maj në Turqi do të jetë një tregues se “Moska nuk dëshiron paqe dhe nuk është e gatshme për negociata serioze”.
“Ne nuk i besojmë Rusisë... Por duam ta përfundojmë këtë konflikt dhe jemi të gatshëm të pranojmë çdo format negociatash”, tha Yermak për Le Monde.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, ka mbërritur në Antalia, në bregdetin jugor të Turqisë, ku sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, po kryeson një takim joformal të ministrave të jashtëm të aleancës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili pritet të marrë pjesë në bisedimet për paqe bashkë me përfaqësuesit Steve Witkoff dhe Keith Kellogg, u takua me Sybihan më 14 maj në margjinat e takimit të NATO-s.
Sybiha shkroi në rrjetin X se kishte shpjeguar “vizionin e Zelenskyt për përpjekjet e mëtejshme për paqe” gjatë “kësaj jave kritike”. Ai tha se me Rubion “diskutuan në detaje logjikën e hapave të ardhshëm dhe ndanë qëndrimet tona”.
Ndërkohë, Rusia ka vazhduar valën e sulmeve me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës gjatë javëve të fundit, pavarësisht thirrjeve për armëpushim.
Kryetari i përkohshëm i qytetit Sumy, Artem Kobzar, tha se sulmet në këtë rajon më 14 maj shkaktuan vdekjen e dy personave dhe plagosjen e dy të tjerëve – numri i të vdekurve më pas u rrit në tre./REL