Pas zhgënjimit të madh në finalen e humbur të Kupës së Italisë ndaj Bolognas, legjenda e pankinës kuqezi Arrigo Sacchi ka shpërthyer me një analizë të fortë ndaj situatës aktuale të Milanit, në një intervistë për Gazzetta dello Sport.
“Milanin nuk e njoh më – më vjen keq për tifozët. Ta shoh Milanin në këtë gjendje më jep një trishtim të madh”, tha Sacchi, i cili theksoi lidhjen e tij të thellë me klubin dhe tifozët. “Ky nuk është më një ekip. Milani nuk është skuadër. Në fushë, nuk ka ide, nuk ka identitet, nuk ka shpirt.”
Ai kujtoi frymën e dikurshme që sillte Silvio Berlusconi: “Kur më mori mua presidenti Berlusconi, më tha se donte të fitonte dhe të bindte. Donte spektakël dhe futboll të bukur. Kishte një ide të qartë. A ka ndonjë ide Milani i sotëm? Mua më duket se jo.”
Sacchi nuk kurseu as kritikat për mënyrën si u ndërtua skuadra dhe u zgjodh trajneri: “Në verë menduan për Lopeteguin, por u tërhoqën për shkak të tifozëve dhe shkuan te Fonseca.
Një gabim i madh. Më pas erdhi Sergio Conceiçao, i cili nuk është fajtori kryesor. Ai e gjeti klubin në kaos.
Por e dini si funksionon në futboll: trajneri paguan gjithmonë, edhe kur është më i pafajshmi.”
Sacchi shprehu dyshime serioze edhe për politikën e merkatos së Milanit:“Kjo është një përzierje lojtarësh pa kriter.
Nuk është çështje vetëm cilësie, por përputhshmërie. Nuk ka koherencë, nuk ka projekt. Si mund të krijosh një stil loje me kaq shumë lojtarë që vijnë nga kultura dhe përvoja kaq të ndryshme?”