Trajneri i Juventusit, Igor Tudor, ka reaguar me vendosmëri ndaj zërave për një rikthim të mundshëm të Antonio Contes në stolin bardhezi, duke deklaruar se nuk e ndjen veten më poshtë se askush dhe se është i fokusuar vetëm te objektivat aktualë.
“Hija e Contes mbi Juventusin e së ardhmes? Unë nuk ndihem inferior ndaj askujt. Tani për tani mendoj vetëm për ndeshjen ndaj Udinese. Jetoj ditë pas dite, përgatitja e çdo ndeshjeje është një vuajtje dhe nuk kam kohë të mendoj për të nesërmen.”
Tudor, që mori drejtimin e Juventusit më 23 mars pas shkarkimit të Thiago Mottës, theksoi punën e bërë me skuadrën dhe pengesat që ka hasur:
“E gjeta skuadrën në një krizë të thellë dhe pa dëmtimet, do të kishim marrë shumë më tepër”.
Juventusi është një hap larg kthimit në Champions League, dhe gjithçka mund të vendoset të dielën ndaj Udinese-s. Një fitore e kombinuar me humbje të Lazios, Romës dhe një rezultat tjetër për Bolognën do të mjaftonin për të siguruar vendin në elitën e futbollit europian.
“Fati është në duart tona,por nuk duhet të mendojmë për këtë. Duhet të hyjmë në fushë me dëshirën për të sulmuar e mbrojtur. Kemi punuar shumë mirë gjatë javës.
Në shtëpi kemi fituar të tre ndeshjet, por ndeshje të lehta nuk ka. Udinese është një skuadër fizike dhe e vështirë, mjafton të kujtojmë barazimin ndaj Napolit”, deklaroi Tudor.