Në këtë kapitull Ramiz Alia përshkruan se si që në darkën zyrtare që u dha në Kremlin me rastin e festës së 7 nëntorit të vitit 1960, udhëheqës të lartë sovjetikë përpiqeshin të bindnin çdo anëtar të delegacionit tonë, sidomos Enver Hoxhën, se udhëheqja sovjetike ishte prirë për miqësi me Shqipërinë dhe se ata kishin synim që Enveri të mos fliste në hapur në Moskë për mosmarrëveshjet, por të përqendrohej në kritika të përgjithshme.
“U përpoqën, – shkruan Ramiz Alia, – Mikojani, Kozllovi, Suslovi e mjaft emisarë të tjerë të na mbushnin mendjen se ndaj Shqipërisë mund të jenë bërë gabime, se ne i kemi njohur nevojat e Shqipërisë, por këtej e tutje do ta ndihmojmë atë më shumë etj. etj. Prandaj, për marrëdhëniet tona mund të diskutojmë bashkërisht, pa qenë nevoja që për këto çështje të flitet publikisht në mbledhjen e partive”.(“Jeta ime”, faqe 220, 221).
Nga sa shkruan Ramiz Alia në këtë libër, kushtuar Mbledhjes së Moskës, udhëheqësit sovjetikë u orvatën të afroheshin, madje duke bërë autokritikë për gabimet “e një ambasadori budalla”, ose të Malinovskit, në atë kohë ministër i Mbrojtjes së BS, që kishte atakuar PPSH-në në bisedë me oficerët tanë, se mosmarrëveshjet, sipas tyre ishin të rastit, “veprime individësh të pandërgjegjshëm”, si mosmarrëveshjet politike që kishin të bënin me qëndrimin ndaj titizmit, presionet që ushtroheshin ndaj zbatimit të kontratave dhe dërgimin e mallrave në kohën e duhur…
Puna arriti deri aty sa, një ditë para se Enver Hoxha ta merrte fjalën në mbledhje, Hrushovi kërkoi që të takohej me delegacionin tonë, ku ndodheshin edhe Mikojani, Kozllovi, Andropovi, pra udhëheqësit kryesorë sovjetikë , për t’i thënë:
“Çfarë ka ndodhur, përse jeni të pakënaqur me qeverinë sovjetike? Përse u jepni rëndësi individëve të veçantë që edhe ne i dënojmë? Doni ta tërheqim ambasadorin tonë në Tiranë? Në $’drejtim mund ta ndihmojmë më shumë ekonominë e vendit tuaj?” – shkruan Ramiz Alia, (faqe 221 e librit).
Por Enver Hoxha nuk u josh nga këto premtime dhe “mbrojti tezën se në mbledhje do të thoshte hapur pikëpamjet e PPSSH-së për ato çështje që i gjykonte të nevojshme. Pala sovjetike “këshillonte” që të përmbaheshim”,-ndryshe”.(faqe 221)
SULMI I HAPUR
Kështu, më 16 nëntor të vitit 1960, në mbledhjen e 81 partive diktatori ynë stalinist mbajti fjalimin e tij për $çështje për të cilat është shkruar më sipër. “Hoxha theksoi se shkaku i këtij qëndrimi të sovjetikëve është se udhëheqja shqiptare nuk miraton veprimet e sovjetikëve dhe se ajo mori guximin t’i kritikojë ato në mbledhjen e Bukureshtit dhe në takime dypalëshe.” (“Jeta ime”, faqe 222)
Pastaj Ramiz Alia në kujtimet për këtë ngjarje, vazhdon:
“Fjalimi i Hoxhës ia hoqi petët lakrorit. Synimi i sovjetikëve për të evituar polemikat dhe diskutimin konkret të devijimeve që ishin shfaqur në lëvizjen komuniste ndërkombëtare, dështoi. Prandaj ata morën masa që të organizonin kundërsulmin.”(po aty)
Kur ndeshet me fjalët ia “hoqi petët lakrorit”, lexuesi, me siguri gjykon se pas fjalimit ”historik” të Enver Hoxhës, “teoricienit më të madh marksist-leninist”, pas vdekjes së Stalinit, të tërë pjesëmarrësit do të të kenë duartrokitur nxehtësisht. Por nuk ndodhi aspak kështu. Aq më tepër, kur ai vazhdon të citojë në librin e tij “Jeta ime” shprehjen mëposhtme nga ligjërata e Enver Hoxhës:
“Partia jonë ua ka prerë kokën agjentëve”, – tha Enveri, dhe Hrushovi qeshi me Mikojanin”. (po aty)
Doemos, sepse që të priste, ose më mirë të hante koka, këtë zanat kanibalesk që i shkonte shumë për shtat, (apo nuk ishte gjatë sa një div !…), Enver Hoxha e ishte mësuar “ezberce” nga baba Stalini dhe ashtu siç hëngri koka jo vetëm nga të popullit, po ashtu bëri edhe me shokët që kishte përreth, deri sa la trashëgimtar vetëm Ramiz Alinë, i cili shpëtoi mrekullisht pa u zhdukur prej tij.
Kështu që Hrushovi dhe Mikojani detyroheshin të qeshnin, sidomos pasi Ramiz Alia vazhdon:
“Kur Enver Hoxha tha se “Stalini u përket të gjithëve”, Mikojani dhe Hrushovi lëvizën”. (po aty)
Ta pret mendja, sepse katër vjet të shkuara, më 1956, në Kongresin e 20-të Hrushovi, jo vetëm kishte dënuar kultin e individit të Stalinit, por kishte bërë botërisht publike edhe krimet e tij monstruoze, të cilat, sipas të dhënave të komisionit të ngritur për këtë qëllim nga presidenti rus, Jelsin, më 1992, arrinin mbi 20 milionë njerëz të zhdukur nga ky tiran i pashembullt, për të cilin Enveri ynë kishte paturpësinë të thoshte se “u përket të gjithëve”.
Atëherë, kur paskësh qenë kështu, përse në një nga netët e fundit të dhjetorit të vitit 1990, kur pa që shtatoret e Stalinit po rrëzoheshin anekënd qyteteve shqiptare, siç ishin zhdukur që me kohë kudo në botën komuniste, Ramiz Alia dha urdhër që përmendorja e këtij tirani të hiqej vjedhurisht nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”?
Sidoqoftë, Enver Hoxha pati një meritë që duhet vënë në dukje, të cilën e nënvizon edhe Ramiz Alia, kur shkruan:
“Të gjithë e panë se mund të kritikohej Hrushovi, se udhëheqja sovjetike dhe vetë Hrushovi nuk ishin të pagabueshëm”. (faqe 223). Megjithatë, me përjashtim të delegacionit, asnjë nga të 80 delegacionet e tjera nuk u radhitën në krah të “pasuesit të denjë të Stalinit”.
Ramiz Alia në kujtimet e tij rendit një përmbledhje të shkurtër, siç e quan ai, marrë nga “Ditari” im, mbajtur gjatë zhvillimit të Mbledhjes së Moskës, nëntor 1960″, ku dëshmon katërcipërisht se PPSH-ja mbeti e izoluar në këtë mbledhje.
Pas fjalës së Enver Hoxhës diskutantët nisën reagimet ndaj qëndrimit të PPSH-së dhe PK të Kinës., të cilat i rendit Ramiz Alinë librin e tij. (faqe 224). Kryetar i PK të Norvegjisë: “Shokëtë dhe shqiptarë të mos kapen nga e kaluara”. Dolores Ibaruri, (Spanjë) -”Ajo sulmoi ashpër qëndrimin eëve. Pastaj shkurt, por me egërsi, iu vërsul pikëpamjeve të paraqitura nga Enver Hoxha”.
Ho Shi Mini, (Vietnam -”Nuk foli kundër Kinës, as kundër Shqipërisë, por lëvdoi Hrushovin”.
Pra, veç delegacionit, siç pohon edhe vetë Ramiz Alia, asnjë delegacion nuk mbështeti pikëpamjet e Enver Hoxhës. Por Ramiz Alia ose harron ose qëllimisht nuk citon diskutimin e Gomulkës, Sekretarit të Parë të Partisë Komuniste të Polonisë, i cili, veç Dolores Ibarurit, komuniste spanjole, që kritikoi ashpër Enver Hoxhën, e cila ”…teksa u çua pa marrë leje, nuk la gjë pa thënë për Enverin. Arriti deri aty sa deshi të vinte në lojë dhe pamjen fizike të tij, duke i thënë dordolec…”, se ”…i kujtoi Enverit që ishin aty për çështje të mëdha dhe jo për dokrra si ato të tij. Gomulka me një zë të çjerrë e mbylli reagimin e tij me shprehjen: “Ti, Enver, nuk fole si udhëheqës partie, por si rrugaç ordiner, si një donkishot që nuk ke për t’u rregulluar kurrë”. (Shkrim i gazetarit Afrim Imraj sipas kujtimeve të Agim Popës, një nga përkthyesit e fjalimit të Enver Hoxhës në Mbledhjen e Moskës, 9 dhjetor 2024).
JEHONA NË SHQIPËRI PAS NDARJES ME SOVJETIKËT
Pastaj Ramiz Alia në librin e tij ndalet te pasojat e përkeqësimit të marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, që filloi menjëherë pas Mbledhjes së Moskës, sepse sovjetikët prishën të gjitha kontratat dhe ndihmat ekonomike, duke krijuar vështirësi për ekonominë shqiptare.
“Në shtresa të ndryshme, sidomos në radhët e inteligjencës dhe ushtarakëve,-shkruan ai,- lindën dyshime ndaj politikës së partisë. Kjo “hapi” fushë të re veprimtarisë së organeve të Sigurimit të Shtetit, të cilat tehun e goditjes filluan ta drejtojnë nga një “armik” i ri: nga ata që ishin lidhur me sovjetikët në mënyra të ndryshme, (për studime), martesa me vajza sovjetike, ose edhe nga vende të tjera të Lindjes. Në këtë drejtim pati disa veprime të nxituara, por dhe të gabuara. E kam fjalën për punën e e organeve të Sigurimit të Shtetit, të cilat herë me arsye, por më shumë pa arsye, vunë në shënjestër të veprimtarisë së tyre të gjitha gratë ruse dhe ato të vendeve të Evropës Lindore”. (faqe238)
Sidoqoftë, nuk është aspak i drejtë gjykimi i Ramiz Alisë se për gjithçka që shkruhet më sipër, fajin e paskëshin pasur “organet” e Sigurimit, kur veprimtaria e tyre udhëzohej dhe kontrollohej drejtpërdrejt nga Partia, pra nga Enver Hoxha.
Por është plotësisht e vërtetë, ashtu siç thekson ai, se në radhët e inteligjencës dhe ushtarakëve lindën dyshime. Dyshime u krijuan sidomos në radhët e intelektualëve që kishin mbaruar studimet e larta në këto vende sidomos në Bashkimit Sovjetik, duke përfshirë edhe ushtarakë, por edhe në përgjithësi në popull, sepse falë politikës së bashkekzistencës paqësore ishte flakur perdja e hekurt, e krijuar edhe nga politika e ngurtë e Stalinit, që i kishte izoluar këtë vend dhe ishin krijuar mundësi për lidhje dhe bashkëpunim me vendet perëndimore, dukuri që do të përfshinte pashmangësisht edhe vendin tonë.
Pastaj Ramiz Alia rrëfen se si në Kongresin e 4-t të PPSHsë, (shkurt 1961), Enver Hoxha sulmoi revizionizmin modern, por pa e përmendur me emër, se si ai u zgjodh anëtar i Byrosë Politike, (doemos për besnikëri të lartë ndaj Enver Hoxhës),se si në prill të atij viti sovjetikët tërhoqën nëndetëset dhe marinarët e tyre nga baza e Vlorës, se si anuluan të gjitha marrëveshjet ekonomike midis të dy palëve, se si në muajin gusht nga Moska erdhi një letër plot akuza kundër PPSH-së në të cilën njoftohej se “tani e tutje BS do të mbante me Shqipërinë marrëdhënie mbi një bazë të re”, se si edhe PPSH-ja ia ktheu me të njëjtën monedhë. Pastaj vjen çasti kur delegacionin tonë e dëbuan nga Mbledhja e Traktatit të Varshavës që u mbajt në Moskë në mars të viti 1961…
Prishja me BS solli dhe dy viktima në Kupolën e kuqe. Liri Belishova dhe Koço Tashko, siç shkruan edhe Ramiz Alia në librin e tij, që u shprehën kundër shkëputjes nga Bashkimi Sovjetik, u përjashtuan nga KQ dhe u dënuan. I pari me burgim, ku edhe vdiq në kushte të tmerrshme,(1981) dhe e dyta me internim që zgjati deri më 1991.
Filluan të përndiqeshin dhe të dënoheshin tërë ata që dyshoheshin se kishin shprehur pakënaqësi ndaj politikës antisovjetike, sidomos ata intelektualë që ishin martuar me gra sovjetike, pjesa me e madhe e familjeve të të cilëve u transferuan në qytete të tjera. Madje, si$ dihet, pati edhe gra sovjetike që u dënuan nga Sigurimi me burgime, si agjente të KGB-së(?)
AKUZAT E HRUSHOVIT
Dhe ja në fund të dhjetorit të atij viti ”Qeveria sovjetike, – shkruan Ramiz Alia,-hodhi edhe hapin e fundit drejt prishjes përfundimtare të lidhjeve me Shqipërinë. Në raportin që mbajti në Kongresin e 22-të të PK të BS, në tetor të vitit 1961, Hrushovi sulmoi hapur udhëheqjen e PPSH-së, duke e quajtur të shitur tek imperializmi për 30 aspra”.(faqe 238)
E mbaj mend shumë mirë atë ditë të bukur vjeshte. Kisha dy vjet që punoja gazetar në redaksinë e programeve të gjuhë të huaja në Radio Tirana. “Zëri i Popullit” atë ditë botoi vetëm frazat e fundit nga raporti i Hrushovit, që përmend më sipër edhe Ramiz Alia.
Shqipëria, siç do të shohim më poshtë dhe siç do ta pohojë edhe vetë Ramiz Alia, u nda nga Bashkimi Sovjetik, jo për të shkuar në Perëndim, siç kërkoi dhe luftoi më 1956 Hungaria dhe më 1968 Çekosllovakia, por edhe më në lindje, për t’u lidhur me një vend të mbuluar në shumë drejtime me vel misterioz, si Kina, nga i cili, pasi mori sa e sa ndihma në shumë drejtime, se ndryshe do të gremisej, u shkëput më pas edhe prej saj, për t’u mbyllur në guaskën e vet, për t’u veçuar nga bota dhe për t’u katandisur në gjendje të mjeruar, të cilën e pranon disa herë me gojën plot edhe ai vetë në librin e tij “Jeta ime”.
Jo vetëm kaq, por pas pushtimit të Çekosllovakisë, (gusht 1968), ishte Enver Hoxha që vendosi që Shqipëria të dilte nga Traktati i Varshavës.
Duke u ndalur te kjo ngjarje Halim Ramohito, përfaqësues i Shqipërisë në komandën e Bashkuar të Forcave Ushtarake në Traktatin e Varshëvës dhe ish-atashe ushtarak në Moskë, dënuar më 1974 si pjesëmarrës i të ashtuquajturit grup puçist ushtarak, në kujtimet e veta shkruan:
“Dalja nga Traktati i Varshavës qe vendim i guximshëm dhe në interes të vendit tonë. Por Enver Hoxha nuk e shfrytëzoi këtë rast që iu paraqit për ta hapur vendin tonë më në fund drejt Evropës, që për konsekuencë mund t’i sillte atij dhe vendit një situatë shumë të favorshme, jo vetëm politike dhe ushtarake, por sidomos ekonomike”. (“Dita”,7 mars 2013)
Duke u kthyer te ngjarjet që lidhen me ndarjen përfundimtare me Bashkimin Sovjetik, Ramiz Alia shpjegon se ajo nuk ishte e lehtë.
“Shumë kuadro civilë dhe ushtarakë kishin kryer studimet në Bashkimin Sovjetik,-shkruan ai, – disa qenë martuar me vajza ruse, kështu që kujtimet, nostalgjia për Bashkimin Sovjetik ishin të mëdha. Kështu që në atë kohë u bënë mbledhje pas mbledhjesh, ndërsa shtypi i përditshëm shkruante për ndryshimet që kishte pasuar politika sovjetike”. (faqe 239)
Pikërisht se “kishte ndryshuar politika sovjetike”, pikërisht sepse ajo po anonte tani nga perëndimi, jo më kuadrot që kishin studiuar në BS dhe vende të tjera socialiste, që ishin martuar me vajza nga këto vende, por edhe ata që nuk e donin komunizmin, nuk mund ta pritnim mirë këtë aventurë të Enver Hoxhës që, për të shpëtuar anijen e tij dhe, mbi të gjitha, atë vetë, e drejtoi atë nga brigjet e panjohura të Kinës së Mao Ce Dunit … “
Qeveria,- shkruan Ramiz Alia në librin e tij, – mori përsipër të gjitha angazhimet që kishte marrë Bashkimi Sovjetik, bile u zotua edhe për ndihma e kredi suplementare. Kështu filloi bashkëpunimi me një mik të ri, me Kinën e largët gjeografikisht, por që ishte shumë e afërt ideologjikisht me pikëpamjet e PPSH-së, të paktën në vitet e para.”(“Jeta ime”, faqe 244)
Kështu filloi një epokë në historinë e Shqipërisë – epoka e marrëdhënieve me Kinën.