Sulmi më i madh me dronë që Rusia ka kryer ndaj Ukrainës që nga fillimi i luftës ka shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha. Të dielën, një grua 28-vjeçare humbi jetën në rajonin e Kievit, pas një sulmi të zhvilluar gjatë natës, ku u plagosën edhe të paktën tre persona, përfshirë një fëmijë 4-vjeçar.
Sipas autoriteteve ukrainase, Rusia ka lëshuar 273 dronë, duke synuar kryesisht rajonin qendror të Kievit dhe rajonet Dnipropetrovsk dhe Donetsk në lindje të vendit. Sulmi i së dielës ka shënuar sulmin më të madh ajror të Rusisë ndaj Ukrainës që nga nisja e luftës. Forcat ukrainase të mbrojtjes ajrore kanë shkatërruar 88 nga dronët, ndërsa 128 dronë të tjerë janë humbur gjatë rrugës pa shkaktuar dëme, raporton Reuters.
Ky sulm vjen pas dështimit të bisedimeve direkte të para në tre vjet mes Rusisë dhe Ukrainës, të cilat u mbajtën të premten në Stamboll. Bisedimet nuk arritën të siguronin armëpushimin e përkohshëm që ishte kërkuar nga Ukraina dhe aleatët e saj. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se do të zhvillonte biseda me presidentët Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelenskiy të hënën.
Ndërkohë, autoritetet ukrainase kanë raportuar se disa ndërtesa banimi janë dëmtuar gjatë sulmit në qytetin e Kievit, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar nga shkatërrimet në ndërtesat jo-rezidenciale.