Polonia votoi sot në zgjedhje presidenciale që konsiderohen vendimtare për të ardhmen e qeverisë pro-Bashkimit Evropian të vendit.
Kryebashkiaku i Varshavës Rafal Trzaskowski (53) me 30.8 për qind të votave, dhe historiani Karol Nawrocki (42), një admirues i presidentit amerikan Donald Trump, me 29.1 për qind të votave do të garojnë në raundin e dytë më 1 qershor, sipas sondazheve.
Njëmbëdhjetë kandidatët e tjerë morën më pak vota duke mos arritur të kalojnë në raundin tjetër- Slawomir Mentzen i treti me 15.4 për qind, Grzegorz Braun – 6.2, Adrian Zandberg – 5.2, Szymon Hołownia – 4.8, Magdalena Biejat – 4.1, Joanna Senyszyn – 1.3, Krzysztof Stanowski – 1.3, Marek Jakubiak – 0.8, Artur Bartoszewicz – 0.5, Maciej Maciak – 0.4 dhe Marek Woch – 0.1 për qind.
Pjesëmarrja e vlerësuar në zgjedhje arriti në 66.8 për qind. Rezultatet përfundimtare zyrtare të garës, në të cilën garojnë 13 kandidatë, priten të hënën.
Që kur koalicioni i kryeministrit Donald Tusk erdhi në pushtet në vitin 2023, nismat kryesore të qeverisë janë bllokuar nga vetoja e presidentit nacionalist Andrzej Duda.
Kreu i shtetit të Polonisë është komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura, drejton politikën e jashtme dhe mund të prezantojë dhe të vërë veton ndaj legjislacionit.
Nën Donald Tusk, një ish-udhëheqës i BE-së, Polonia është bërë më e rëndësishme në kontinent, duke përforcuar pozicionin kyç në krahun lindor të NATO-s kundër Rusisë.