Mbrohet në heshtje Çaslav Joliq, i akuzuar për krime lufte në Istog

- Bota Sot

Mbrohet në heshtje Çaslav Joliq, i akuzuar për krime lufte në Istog

I akuzuari për krime lufte në Istog, Çaslav Joliq është mbrojtur në heshtje në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Lidhur për këtë, mbrojtësi i tij, avokati Miodrag Bërklajq, tha që klineti i tij ka dhënë mbrojtjen në gjykimin e kaluar dhe nuk ka asgjë për të shtuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk mund të them që është i hidhëruar, por në çdo rast është i zhgënjyer për faktin sepse pas 15 ditëve atij i bie që të jetë në paraburgim plot 3 vite. Ne si mbrojtje e tij kemi propozuar që masa e paraburgimit të ndërrohet me një masë më të butë, por kjo gjithmonë na është refuzuar nga gjykata. I njëjti mbrojtjen e tij e ka dhënë, nuk ka asgjë tjetër për të thënë, andaj mos të humbim më shumë kohë, ju e vlerësoni atë që e ka thënë në gjykimet e kaluara”, tha avokati.

Gjatë kësaj seance, avokati Bërklajq i propozoi Gjykatës që disa procesverbale të dëshmitarëve të cilët kanë bërë identifikimin e të pandehurit, të shpallen si prova të papranueshme, pasi që sipas tij, janë marrë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale.

Ky propozim u kundërshtua nga prokurorja speciale- Ajshe Ferati, e cila tha që nga këta prova nuk ka asgjë të kundërligjshme dhe që ato duhet të konsiderohen si të pranueshme.

“E kundërshtoj propozimin e mbrojtësit lidhur me procesverbalet që i ka cekur në parashtrimin e tij, e të njëjtat të konsiderohen si prova të papranueshme, sepse procesverbalet që janë cekur në atë parashtresë, të njëjtat janë marrë në përputhje me KPPRK dhe nuk ka asgjë të kundërligjshme që ato të konsiderohen si të papranueshme”, tha Ferati.

Meqenëse i akuzuari u mbrojt në heshtje, prokurorja nuk ishte e gatshme që të vazhdoi me fjalën përfundimtare, andaj seanca u ndërpre për të vazhduar një ditë tjetër.

Pretendimet e avokatit, gjyqtari Ngadhnjim Arrni tha se do të shqyrtohen me rastin e marrjes së vendimit.

Ndryshe, më 10 qershor 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar të pandehurin Joliq, me 8 vite burgim për krime lufte në qytetin e Istogut. Por, Gjykata e Apelit më 4 nëntor 2024, rastin ndaj tij e ka kthyer në rigjykim.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 18 nëntor 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Çaslav Joliq me arsyetimin se gjatë kohës së luftës në Kosovës në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, ka aplikuar masat e torturimit dhe shkaktimit të vuajtjeve të mëdha apo cenimit të integritetit trupor ose shëndetit kundër popullsisë civile që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt për shkaqe që lidhen me luftën.



Read it all at Bota Sot