Në një sezon zhgënjyes, ku Milan nuk fitoi asgjë dhe humbi të drejtën të luajë në Europë vitin tjetër, ka ardhur koha për të nisur nga puna për të ardhmen. Klubi, pasi rinovoi me Tijani Reijnders (deri në vitin 2030), po punon për një tjetër rinovim të rëndësishëm.
Bëhet fjalë për mesfushorin amerikan Christian Pulisic, i cili nëse luan të shtunën do të arrijë në 100 paraqitje për kuqezinjtë.
Ai ishte një nga elementët më pozitivë të këtij sezoni, ndërkohë që bisedimet mes palëve për rinovimin janë ende në zhvillim e sipër.
Kontaktet me menaxherët e amerikanit janë të shpeshta, madje muajt e fundit është përgatitur një draft marrëveshje për zgjatjen deri në vitin 2029 (kontrata aktuale skadon në vitin 2027), me opsion në favor të klubit edhe për një vit tjetër (2030).
Gjithsesi, ende nuk është arritur marrëveshja, pavarësisht propozimit për rritjen e pagës nga 4 në 5 milionë euro neto në vit. Te Milan nuk ka dyshime për përfundimin pozitiv të historisë, pasi ish-lojtari i Chelsea po bën mrekulli në Milano dhe drejtuesit e respektojnë atë për sjelljen e tij brenda dhe jashtë fushës.