Kandidatit ultranacionalist i refuzohet kërkesa për anulimin e zgjedhjeve presidenciale në Rumani

- Bota Sot

Kandidatit ultranacionalist i refuzohet kërkesa për anulimin e zgjedhjeve presidenciale në Rumani

Gjykata më e lartë e Rumanisë të enjten e ka hedhur poshtë si të pabazuar një kërkesë për t’i anuluar zgjedhjet presidenciale nga një kandidat ultranacionalist, i cili humbi bindshëm garën përballë kundërshtarit të tij pro Bashkimit Evropian, të dielën.

Pas shqyrtimeve, Gjykata Kushtetuese e Rumanisë e ka refuzuar unanimisht kërkesën për anulim, të paraqitur të martën nga George Simion, në të cilën ai pretendoi se ndërhyrjet e huaja dhe manipulimi i koordinuar kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.

Gjykata ka thënë se vendimi i saj është përfundimtar, raporton AP.

Simion, udhëheqës 38-vjeçar i Aleancës për Unitetin e Rumunëve nga ekstremi i djathtë, kishte pranuar disfatën pas humbjes në balotazhin presidencial përballë kryetarit të Bukureshtit, Nicusor Dan, i cili siguroi 53.6 për qind të votave, apo mbi 829.000 vota më shumë se kundërshtari i tij.

Pas shpalljes së vendimit nga gjykata, Simion ka thënë, në një postim në rrjetin social Facebook, se Kushtetuesja “ka vazhduar puçin!”.

“Nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse të luftojmë!”, është shprehur ai. “Ju bëj thirrje të qëndroni përkrah meje, sot dhe në javët e ardhshme!”, ka shkruar Simion.

Votimi i së dielës u mbajt disa muaj pasi e njëjta gjykatë i shpalli të pavlefshme zgjedhjet e mëparshme, në të cilat kandidati pa përvojë i ekstremit të djathtë, Calin Georgescu, udhëhoqi në rundin e parë, pas akuzave për shkelje zgjedhore dhe për ndërhyrje ruse, të cilat Moska i ka mohuar.

Në kërkesën e tij për anulimin e zgjedhjeve, Simion kishte pretenduar se kishte “prova të pakundërshtueshme” që Franca, Moldavia dhe “aktorë të tjerë” kishin ndërhyrë në zgjedhje, por nuk i kishte paraqitur ato. Ai kishte pretenduar, po ashtu, se “njerëz të vdekur” kishin marrë pjesë në votim, duke kërkuar që zgjedhjet të anulohen mbi bazën e njëjtë të vendimit të vitit të kaluar nga gjykata.

Simion ka shfrytëzuar zemërimin për anulimin e zgjedhjeve të vitit të kaluar dhe, pasi ka dalë i katërti në votimin e anuluar, është bërë bashkë me Georgescun, të cilit i ishte ndaluar në mars pjesëmarrja në përsëritjen e zgjedhjeve.

Në rundin e parë të zgjedhjeve të përsëritura presidenciale, më 4 maj, Simion fitoi bindshëm përballë 11 kandidatëve të tjerë, për të siguruar balotazhin.

Disa orë pas hapjes së votimit për rumunët jashtë vendit, të premten, Simion akuzoi qeverinë e Moldavisë fqinje për mashtrime në zgjedhje, që autoritetet moldaviane dhe rumune i kanë mohuar.

Ai pretendon se njerëzit janë transportuar ilegalisht në qendra votimi në Moldavi, duke ndikuar në 80.000 vota.

Më shumë se gjysma e moldavianëve kanë nënshtetësi rumune, dhe rreth 158.000 njerëz kanë votuar në vendvotime të hapura për balotazh në Moldavi./REL



Read it all at Bota Sot