Të hënën do të nisë një epokë e re, ose ndoshta një rikthim në të kaluarën, varet nga këndvështrimi. Milani, pasi të ketë mbyllur sezonin, do të hapë atë 2025-2026 me shpalljen zyrtare të Igli Tares si drejtor sportiv. Ai është një figurë tradicionale, ndërsa këtë pozicion klubi kuqezi nuk e ka pasur prej dy sezonesh.
Tare e përfaqëson saktësisht këtë profil: për 15 vite ishte përgjegjës i sektorit sportiv te Lazio, një referencë e rëndësishme për agjentët dhe lojtarët, të cilët do ta shohin shpesh në “Milanello”.
Një drejtor sportiv i stilit të vjetër edhe në mënyrën e punës: e ndjek personalisht merkaton, kërkon talente gjithkund, ndjek shumë ndeshje direkt dhe analizon pamje e të dhëna.
Milani i së ardhmes do t’i rikthehet kësaj tradite duke filluar nga java e ardhshme, shumë mundësisht të hënën, kur pritet edhe firma dhe zyrtarizimi i kontratës. Tare do të jetë drejtori sportiv i Milanit për tri vitet e ardhshme.