Deco “ngre në qiell” Yamalin

- Bota Sot

Deco “ngre në qiell” Yamalin

Lamine Yamal është emri më i madh i sezonit për Barcelonën dhe fokusi kryesor i projektit sportiv blaugrana. Rinovimi i kontratës së tij, që do të ndodhë këtë verë, kur ai të mbushë 18 vjeç (më 13 korrik), është çështje e mbyllur sipas Deco, drejtorit sportiv katalanas, i cili foli për këtë temë në një intervistë për “RAC1”:

“Rinovimi po ecën mirë, Lamine ka një maturitet të jashtëzakonshëm për moshën që ka. Kam një djalë me të njëjtën moshë dhe e di sa e rrallë është kjo. Yamal ka vetëbesim dhe cilësi, por nuk duhet të harrojmë që është ende vetëm 17 vjeç”.

Më tej, drejtori sportiv theksoi: “Nuk është e vërtetë që ka kërkuar të jetë lojtari më i paguar te Barcelona. Ai thjesht do të jetë i lumtur në klubin tonë. Duhet ta jetojë moshën që ka, sa e vështirë të jetë, dhe duhet të gjejë lumturinë. Kontrata që do të ketë duhet të jetë e drejtë për nivelin e tij, jo domosdoshmërisht më e larta në skuadër. Futbolli duhet të jetë i drejtë”.

Një nga pikat më interesante të intervistës ishte kur Deco pranoi se klube të mëdha kanë pyetur për Yamal, veçanërisht vitin e kaluar: “Po, sezonin e kaluar pati oferta. Këtë sezon ende jo. Nuk duam të dëgjojmë oferta, por PSG pyeti për të. Real Madridi? Jo, ata jo”.

Yamal ka shkëlqyer në ndeshjet e mëdha kundër Real Madridit, Atletico Madridit dhe Interit, ndaj Deco u ndal edhe te ndikimi dhe potenciali i tij: “Është një lojtar lider dhe diferencues. Është mahnitëse se si arrin të mos ndikohet nga presioni në stadiume si i Real Madridit apo Milanos. Përveç asaj që bën në fushë, kjo është gjëja më e madhe që ka. Ka vetëbesimin e lojtarëve të mëdhenj”.

Në fund, Deco shtoi: “Rinovimi i Yamal do të jetë blerja më e mirë e verës për Barçën. Dhe shpresoj që një ditë ta ‘fitojë Topin e Artë’. Kemi disa lojtarë që mund ta arrijnë këtë, Lamine është njëri prej tyre. Raphinha gjithashtu ka bërë një sezon spektakolar, do të më pëlqente shumë që ‘Topin e Artë’ ta fitojë një lojtar i Barcelonës”.



Read it all at Bota Sot