Rikthehet te Santos mes shpresës dhe polemikave

- Bota Sot

Rikthehet te Santos mes shpresës dhe polemikave

Neymar është gati të kthehet në fushë me fanellën e Santos-it, ekipi i tij i zemrës.

Sulmuesi brazilian, i përfshirë nga Carlo Ancelotti në listën paraprake të Brazilit për ndeshjet eliminatore të Botërorit 2026 ndaj Ekuadorit dhe Paraguajit, ka përshpejtuar rikuperimin nga dëmtimi dhe mund të rikthehet këtë të enjte në sfidën e Kupës ndaj CRB.

Ndeshja e parë përfundoi 1-1 në Vila Belmiro dhe rikthimi i Neymar-it mund të bëjë diferencën në një sfidë që nuk pritet të jetë e lehtë.

I dëmtuar më 16 prill, Neymar kishte planifikuar të rikthehej në fillim të qershorit, por thirrja e Ancelotti-t dhe fundi i afërt i kontratës së tij me Santos-in e kanë shtyrë sulmuesin të përshpejtojë gjithçka.

Nëse do të ketë minuta tani, do të rrisë gjasat për të qenë pjesë e ndeshjeve të para të Brazilit nën drejtimin e trajnerit italian.

Ai nuk ka luajtur me “Seleçaon” që nga 17 tetori 2023, kur ndaj Uruguait pësoi dëmtim të rëndë në gjurin e majtë.

Kontrata aktuale e Neymar-it përfundon më 30 qershor dhe megjithëse palët po negociojnë për një zgjatje deri në 2026, akordi ende nuk është arritur.

Nëse nuk rinovon, përballjet ndaj CRB, Botafogos më 1 qershor dhe Fortaleza-s më 12 qershor do të jenë të fundit me Santos.

Pas Botërorit të Klubeve, kontrata e tij do të ketë skaduar.

Që nga rikthimi, Neymar ka qenë shpesh në qendër të polemikave jashtë fushe dhe forma e tij është ndikuar nga dëmtimet.

Ai ka luajtur vetëm 587 minuta në nëntë ndeshje, me tre gola dhe tri asistime.

Ka humbur ndeshje të rëndësishme për shkak të dëmtimeve, por ka marrë pjesë në festa e evente që kanë krijuar polemika në media dhe te tifozët.

Megjithatë, me rikthimin në fushë dhe mundësinë për të ndihmuar ekipin dhe për të bindur Ancelotti-n, Neymar ka një shans për të përmbyllur sezonin me një notë pozitive. Tani është radha e tij për të folur me lojë.



Read it all at Bota Sot