Peskov: S’janë planifikuar bisedime të reja Rusi-Ukrainë për paqen

- Bota Sot

Peskov: S’janë planifikuar bisedime të reja Rusi-Ukrainë për paqen

Rusia dhe Ukraina nuk kanë planifikuar bisedime të mëtejshme të drejtpërdrejta për t’i dhënë fund luftës së tyre më shumë se trevjeçare, ka deklaruar të enjten zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, transmeton AP.

Njoftimi u dha disa ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, pati një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimit Putin, me ç’rast deklaroi se negociatat e armëpushimit mes palëve ndërluftuese do të fillonin menjëherë.

Pas dy orësh bisedimesh në Stamboll të premten e kaluar, delegatë nga Kievi dhe Moska ranë dakord të shkëmbenin nga 1.000 të burgosur lufte, që shënon shkëmbimin më të madh që nga fillimi i luftës.

Përveç këtij hapi, takimi nuk dha ndonjë përparim të rëndësishëm.

Gjatë kësaj jave, Putini ka thënë se Moska do të propozonte dhe është gati të punojë me Ukrainën për një memorandum që përgatit kornizën e një traktati të mundshëm paqeje në të ardhmen.

Një propozim i tillë nga pala ruse u dha pasi Putini ka hedhur poshtë në vazhdimësi propozimet për armëpushim 30-ditor e të pakushtëzuar, që ishte pranuar nga Ukraina në muajin mars.



Read it all at Bota Sot