Lamine Yamal pritet që në verë të firmosë kontratën e re me Barcelonën, që do të vlejë deri në vitin 2030. Për këtë palët po negociojnë që tani, ndërsa 17-vjeçari pritet të bëhet më i paguari i skuadrës.
Vetë agjenti Zhorge Mendes ka konfirmuar zërat për rinovimin, ndërsa u pyet sot nga mediat.
“Sigurisht që do të rinovojë, nuk do të ketë probleme. Është i lumtur. Do të rinovojë së shpejti. Mos u shqetësoni”, u shpreh fillimisht Mendes.
Më pas i pyetur nëse do të jetë më i paguari i skuadrës, Mendes devijoi përgjigjen duke thënë se është më i miri në botë dhe do të fitojë Topin e Artë. Jamal po shkëlqen prej dy sezonesh te Barcelona dhe përfaqësuesja kombëtare, ndërsa i ka munguar vetëm trofeu i Champions.