Një incident fizik i ndodhur të mërkurën në ambientet e Parlamentit Evropian ka shkaktuar përplasje deklaratash dhe ka çuar në raportime zyrtare në polici.
Ngjarja përfshin eurodeputeten suedeze Alice Teodorescu Mawe nga grupi i Partive Popullore Evropiane (EPP) dhe një punonjës të delegacionit të majtë suedez në Parlament.
Sipas Marie Antman, drejtuese e zyrës parlamentare të së majtës suedeze, një prej stafit të saj hyri në zyrë “në gjendje shoku” dhe me shenja në krah. Ajo e përshkroi ngjarjen si “të papranueshme” dhe “të jashtëzakonshme”, duke deklaruar se janë lajmëruar edhe rojet e sigurisë dhe Presidentja e Parlamentit Evropian.
Ndërkohë, eurodeputetja Teodorescu Mawe i mohon me forcë akuzat dhe jep një version krejtësisht ndryshe. Sipas saj dhe partisë së saj, ajo është ngacmuar nga një punonjës politik në ambientet e Parlamentit, ndërsa po shkonte në një takim.
Ajo pretendon se punonjësi filloi ta filmonte dhe fotografojë pa arsye, dhe kur ajo kërkoi një shpjegim, situata u tensionua. Më pas, përpjekja për të marrë telefonin nga duart e tij çoi në një përplasje fizike të shkurtër.
Teodorescu Mawe është takuar me Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe ka kërkuar mbrojtje pas incidentit.
Ajo do të bëjë një kallëzim edhe në polici në Belgjikë kur të kthehet nga Suedia, ku ndodhet aktualisht.
Zëdhënësi zyrtar i Parlamentit Evropian ka konfirmuar se po zhvillohet një hetim i brendshëm dhe se incidenti është regjistruar nga kamerat e sigurisë.
Ai shtoi se ekziston një politikë “zero tolerancë” për dhunën brenda ambienteve të Parlamentit dhe se masat e nevojshme janë marrë.