Kurti viziton punimet në Teatrin Kombëtar dhe institucione të tjera kulturore në Prishtinë

- Bota Sot

Kurti viziton punimet në Teatrin Kombëtar dhe institucione të tjera kulturore në Prishtinë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vizitoi ditën e enjte punimet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku po investohen shtatë milionë euro për rinovimin dhe restaurimin e tij.

Kur të përfundojnë punimet, ai do të duket porsi i ri por në të njëjtën kohë autentik, sepse përveçse shtëpi e artit, Teatri Kombëtar është edhe aset i trashëgimisë sonë të cilin duhet ta ruajmë,” tha Kurti.

Ai po ashtu informoi se po restaurohet tërësisht edhe Muzeu Kombëtar i Kosovës, me fokus të veçantë në sigurimin e kushteve për ruajtjen e eksponateve dhe rikonceptimin e ekspozitës së përhershme.

Kurti përmendi gjithashtu restaurimin e shtëpisë së Hynilerëve dhe shtëpive tradicionale të familjeve Safqi dhe Sylejmani në qytetin e vjetër, si dhe ndërtesën e Kryqit të Kuq, një simbol i solidaritetit dhe përkushtimit ndaj njerëzve në nevojë.

Rinovimi po vazhdon edhe në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ku po shtohen hapësira të reja për ruajtjen e koleksionit shtetëror të veprave të artit, dhe në ndërtesën qendrore të Agjencisë Shtetërore të Arkivave, për përmirësimin e kushteve dhe hapësirave për ruajtjen e materialeve arkivore.

“Këto investime janë të rëndësishme për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe përmirësimin e kushteve për artin dhe kujtesën tonë kolektive,” përfundoi Kurti.



Read it all at Bota Sot