Franca dhe Gjermania me një "non-paper" për Republikën Sërpska

- Bota Sot

Franca dhe Gjermania me një "non-paper" për Republikën Sërpska

Bashkimi Evropian duhet të pezullojë projektet financiare që janë të dobishme për Republikën Sërpska, dhe të shqyrtojë vendosjen e sanksioneve të synuara ndaj individëve në këtë entitet të Bosnje e Hercegovinës, të cilët minojnë sovranitetin dhe rendin kushtetues të shtetit.

Kjo thuhet, ndër të tjera, në një dokument jozyrtar ("non-paper"), të përpiluar nga Franca dhe Gjermania, të cilin e ka siguruar Radio Evropa e Lirë.

Në dokumentin e datës 12 maj 2025, që ka pak më shumë se dy faqe, thuhet se kriza aktuale kushtetuese "përbën sfidën më serioze për sovranitetin, unitetin dhe integritetin territorial dhe funksional të Bosnje e Hercegovinës në 30 vjetët e fundit".

Ekzistenca e këtij dokumenti u bë e ditur nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, më 22 maj, pas një mbledhjeje të Këshillit për Siguri Kombëtare, ku ai tha se dokumenti, që u prezantua nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, "vështirëson pozitën e Republikës Sërpska”, shkruan REL.

Sipas autorëve, Republika Sërpska ka ndërmarrë disa veprime dhe procese ligjore që minojnë rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës, sidomos pas dënimit të presidentit të këtij entiteti, Millorad Dodik, më 26 shkurt, nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës për moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë.

Këto veprime përfshijnë miratimin e disa ligjeve, si ai për ndalimin e funksionimit të institucioneve shtetërore të Bosnje e Hercegovinës në territorin e Republikës Sërpska – përfshirë Gjykatën dhe Prokurorinë shtetërore, dhe agjencinë shtetërore për hetime (SIPA) – si dhe Ligjin për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Republikës Sërpska, dhe ligjin për regjistrin e posaçëm të organizatave joqeveritare.

Po ashtu, si veprime të kontestuara përmenden drafti i ri i Kushtetutës së Republikës Sërpska, i prezantuar në mars, dhe Ligji për mbrojtjen e rendit kushtetues të Republikës Sërpska.

Qëllimi i menjëhershëm i dokumentit është "shfuqizimi i ligjeve jokushtetuese dhe tërheqja e draftit të ri kushtetues".

"Zgjidhja afatgjatë e krizës do të kërkojë, në veçanti, rikthimin e plotë dhe të pakthyeshëm të Republikës Sërpska në rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës, rikthimin e përkushtimit të serbëve të Bosnjës për funksionimin e institucioneve shtetërore, dhe përmbushjen e të gjitha hapave të renditur në rekomandimin e Komisionit Evropian të datës 12 tetor 2022", thuhet në dokument.



Read it all at Bota Sot