Lidhur me vizitën e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas në Kosovë dhe porositë e saj, publicisti Pal Shtufi ka thënë se porositë e saj duhet të lexohen dhe se vizita e saj ishte për të matur pulsin dhe “çmendurinë ballkanike” në këtë vend.
“Njëra prej çmendurive më të reja është… bllokimi i institucioneve të shtetit, gjendja praktikisht pa qeveri dhe mosmarrëveshjet qeveri-opozitë. Të gjitha këto janë pjesë e çmendurisë ballkanike,” ka thënë ai.
Shtufi tutje, në një linjë direkte në emisionin FIVE, ka thënë se ne duhet të jemi më aktivë dhe të “zëmë” hapin me zhvillimin teknologjik e human.
“…ne merremi me bllokada, merremi me gjëra që vërtetë u ka kaluar afati, vërtetë janë të neveritshme,” është shprehur ai, duke thënë se nuk di nëse është fajtore vetëm qeveria [partia në pushtet] apo edhe partitë e tjera politike.
“Këtu janë edhe të tjerët fajtorë, por kryesisht është ai që e ka bartur fitoren në këtë rast. Prandaj, Bashkësia Evropiane është duke matur pulsin si gjithmonë, si një lloj karantine…,” ka thënë ai.
Publicisti Shtufi tutje ka thënë se informacionet që i jep Prishtina e Beogradi Brukselit, këta të fundit nuk i besojnë, por ata kanë burimet e veta dhe, sipas tij, ato janë të sakta.
Ai ka thënë se me lutje e me kërkesa nuk hiqen sanksionet dhe për këtë ai konsideron se politikanët tanë nuk kanë sens politik.
“Ne nuk kemi politikë, politika jonë ka marrë fund… u bënë nja 7-8 vjet që ne nuk prodhojmë politikë, nuk prodhojmë miqësi. Ne nuk kemi asnjë lidhje, p.sh., mes kryeministrit tonë dhe një kryeministri të Perëndimit në mënyrë private, nuk kemi as një lidhje as zyrtare,” ka thënë Shtufi, duke shtuar se kjo është tepër e rrezikshme për diplomacinë dhe për lidhjet e miqësinë.