Një nga rrjetet më të rrezikshme të hakerëve në botë është shkatërruar nga një operacion ndërkombëtar i quajtur “Operacioni Endgame”, i cili përfshiu forcat policore nga Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Danimarka, Holanda, Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara.
Ky rrjetë kriminal, i drejtuar kryesisht nga shtetasit rusë, ishte përgjegjëse për sulme të sofistikuara kibernetike ndaj institucioneve qeveritare, kompanive dhe përdoruesve privatë në mbarë botën.
Gjatë operacionit, autoritetet evropiane lëshuan urdhër-arreste ndërkombëtare për 20 të dyshuar, ndërsa autoritetet amerikane ngritën akuza ndaj 16 personave, njofton Europol.
Ndër të akuzuarit janë drejtuesit e dyshuar të operacioneve të ‘malwerave’ Qakbot dhe Danabot, përfshirë Rustam Rafailevich Gallyamov nga Moska, Aleksandar Stepanov (i njohur si JimmBee) dhe Artem Aleksandrovich Kalinkin (i njohur si Onix) nga Novosibirsku.
Një nga figurat kyçe të kësaj rrjete është Vitalij Nikolajevich Kovalev, i njohur me pseudonimet Stern dhe Ben. Ai dyshohet se ka shantazhuar qindra viktima në mbarë botën, duke përfituar miliona euro dhe duke përdorur një portofol kriptomonedhash me vlerë rreth një miliard euro.
Kovalev besohet se është udhëheqës i grupit të ransomware-it Conti, i cili konsiderohet si një nga më të organizuarit dhe më profesionalët në botë.
Sipas autoriteteve, rrjeti kriminal ka infektuar mbi 300 mijë kompjuterë në mbarë botën, veçanërisht në SHBA, Australi, Poloni, Indi dhe Itali.
‘Malwera’ Danabot është përdorur për të vjedhur të dhëna nga institucione ushtarake, diplomatike dhe qeveritare, me të dhënat e vjedhura të ruajtura në serverë brenda Federatës Ruse.
Operacioni Endgame, i nisur në vitin 2022 nga autoritetet gjermane, synon jo vetëm ndalimin e përhapjes së ‘malwerave’, por edhe çmontimin e rrjeteve kriminale ndërkombëtare që merren me shantazhe dhe aktivitete të tjera të paligjshme.