Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, ka shprehur entuziazmin e tij për pjesëmarrjen në Kupën e Botës për Klube, një turne i ri që do të nisë këtë verë dhe që për të është një mënyrë për të lënë pas një nga sezonet më të dobëta në karrierën e tij si trajner.
“Është një nder i madh. Do të thotë që kemi qenë me fat sepse sezonin e kaluar bëmë shumë mirë në Champions League dhe në kampionat. Është një turne i ri dhe mezi pres të marr pjesë”, deklaroi Guardiola në një komunikatë të shpërndarë nga FIFA.
Objektivi i tij i parë? Të përmirësojë lojën e skuadrës. “Do të ishte bukur të fitonim turneun, nuk mund ta mohoj, por ka edhe 31 skuadra të tjera që duan të njëjtën gjë.
Do të shohim si do ta mbyllim sezonin, si do të shkojmë në këtë kompeticion dhe më pas do të shihet”.
Filozofia e trajnerit spanjoll mbetet e pandryshuar: “Një hap njëherësh”.
“Kur fillon një turne si Premier League, nuk dua të mendoj ‘duhet ta fitojmë’. Fokusi është që të ecim përpara hap pas hapi, të përpiqemi të luajmë më mirë se këtë sezon. Do të jemi në formë më të mirë”.