Shpërthen në kritika kundër Juventusit

- Bota Sot

Shpërthen në kritika kundër Juventusit

Huan Cuadrado, një nga figurat më të dashura dhe të qëndrueshme të Juventusit në dekadën e fundit, ka rrëfyer me tone të ndjera mënyrën e papritur dhe të ftohtë me të cilën përfundoi aventura e tij në klubin bardhezi.

Në një intervistë për “Fox Deportes”, kolumbiani ka zbuluar se nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar për largimin e tij dhe se e ka kuptuar fundin e historisë së tij në Torino vetëm përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Lamtumirën e mësova nga rrjetet sociale,” tha Cuadrado me një ndjenjë zhgënjimi të thellë. “Kur u dëmtua Matia De Shilio, më thanë që kishte një mundësi për të vazhduar edhe një vit. Dhe unë thashë: ‘Sigurisht, kjo është shtëpia ime, gjithmonë jam ndier kështu’”.

Ai tregon se kishte besim të plotë në rinovimin, duke qenë gjithmonë i gatshëm për të vazhduar kontributin e tij për skuadrën.

Por pritja e tij për një telefonatë, një takim apo një sinjal të qartë nga klubi, përfundoi në heshtje.

“Kam pritur gjithmonë, por në fund ndjeva trishtim. Më kishin thënë që do të më rinovonin kontratën dhe prisja, prisja telefonatën, ndonjë fjalë. Por nuk më telefonuan kurrë. Nuk pati asgjë njerëzore”, vijon Cuadrado.

Shkëndija e vetme që mori nga Juventusi ishte një postim në “Instagram”, ku klubi i tha thjesht: “Muchas gracias, Panita”. “Asnjë nuk më telefonoi për të më thënë: ‘Juan, kërko një skuadër tjetër, nuk do të vazhdojmë me ty’. Vetëm një mesazh në rrjete sociale”, përfundoi ai.



Read it all at Bota Sot