Pothuajse 200 mijë kompani u mbyllën në Gjermani vitin e kaluar

- Bota Sot

Pothuajse 200 mijë kompani u mbyllën në Gjermani vitin e kaluar

Gjermania, dikur një model stabiliteti dhe rritjeje ekonomike në Evropë, po përballet me tendencë shqetësuese të mbylljes së kompanive, me ekspertët që paralajmërojnë për pasoja afatgjata.

Sipas të dhënave të fundit, pothuajse 200 mijë kompani u mbyllën vitin 2024 ose 16 për qind më shumë se më 2023, që është numri më i lartë që nga 2011, raporton KosovaPress.

Këshilli i Ekspertëve për Vlerësimin e Zhvillimit të Përgjithshëm Ekonomik theksoi në raportin e tij të pranverës se ekonomia gjermane është në një fazë të theksuar dobësie.

“Dy faktorë do të jenë vendimtarë për ekonominë gjermane në të ardhmen e afërt: politika tarifore e Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe paketa financiare e qeverisë”, thotë Monika Schnitzer, presidente e këshillit.

Në raport thuhet se ekonomia gjermane përfiton pak nga rritja ekonomike globale, ndërkohë që tarifat e importit të Shtete e Bashkuara të Amerikës po rëndojnë më tej tregtinë globale.

Industritë e orientuara nga eksporti janë veçanërisht të prekura, duke qenë se tregu amerikan është vendimtar për prodhuesit gjermanë.

Vitin e kaluar, eksportet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës arritën në më shumë se 161 miliardë euro ose 10.4 për qind të totalit të eksporteve gjermane. Duke pasur parasysh stagnimin e eksporteve dhe barrierat e reja tregtare, shumë kompani gjermane po përballen me rënie të porosive dhe ulje të të ardhurave.

Këshilli i Ekspertëve uli parashikimin e tij të rritjes së prodhimit të brendshëm bruto këtë vit në zero, ndërsa Komisioni Evropian gjithashtu uli parashikimin nga 0.7 për qind në zero. Pritet që prodhimi i brendshëm bruto gjerman të mos rritet përsëri deri në vitin 2026, dhe me një për qind.

Ekspertët theksojnë se paketa financiare e qeverisë mund të jep një stimul pozitiv, veçanërisht nëpërmjet investimeve në modernizimin e infrastrukturës dhe mjetet kapitale, por paralajmërojnë se është thelbësore që këto fonde të drejtohen në mënyrë efektive.

Në mars, Bundestagu dhe Bundesrat ranë dakord të lehtësojnë kufijtë e huamarrjes për financimin e shpenzimeve për mbrojtjen, mbrojtjen civile dhe rindërtimin e infrastrukturës.

Gjithashtu është krijuar një fond special deri në 500 miliardë euro, por ekspertët theksojnë se suksesi do të varet nga mënyra se si do të përdoren këto fonde.

Të dhënat nga agjencia e vlerësimit Creditreform dhe Qendra për Kërkime Ekonomike Evropiane zbulojnë se bizneset e vogla janë më të prekurat, por edhe numri i mbylljeve të kompanive më të mëdha ka ardhur duke u rritur.

Veçanërisht shqetësues është fakti se në sektorët industrialë, si farmacia, kimia dhe teknologjia shëndetësore, mbylljet janë rritur mbi 25 për qind. Në sektorët e IT, teknologjisë mjedisore dhe diagnostikimit, numri i kompanive të mbyllura u rrit me një të katërtën, gjë që është befasuese pasi këto janë industri të së ardhmes.

Ekspertët theksojnë se arsyeja kryesore është mungesa serioze e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe rritja e presionit konkurrues nga jashtë. Ekonomisti i Creditreform Patrik-Ludwig Hantzsch paralajmëroi se shumë kompani po e zhvendosin prodhimin jashtë vendit ose nuk po investojnë më në Gjermani.

Mbylljet nuk nënkuptojnë domosdo falimentime, ato shpesh janë pezullime vullnetare të biznesit, kur pronarët nuk mund të gjejnë një pasardhës ose duan të dalin në pension. Por gjithnjë e më shumë biznese po mbyllen për shkak të perspektivave të dobëta afatgjata, edhe nëse aktualisht janë fitimprurëse.

Ekspertët paralajmërojnë se pa ndryshime të shpejta dhe efektive, Gjermania rrezikon erozionin afatgjatë të bazës industriale dhe humbjen e pozicionit si një nga ekonomitë kryesore në botë



Read it all at Bota Sot