Derbi që të ndez kryeqytetin, Boroci: Mund ta mposhtim katër herë KF Prishtinën

- Bota Sot

Derbi që të ndez kryeqytetin, Boroci: Mund ta mposhtim katër herë KF Prishtinën

Pas përmbylljes së një kampanje të suksesshme në Ligën e Parë, klubi Prishtina e Re ka siguruar inkuadrimin në Superligën e Kosovës si kampion. Skuadra nga kryeqyteti ishte pjesë e Grupit B të Ligës së Parë dhe e përfundoi sezonin si kampion me 69 pikë.

Për ta arritur këtë objektiv madhor, drejtori sportiv i klubit, Samir Boroci, thotë se skuadra përshkoi një rrugëtim mjaft të vështirë.

Boroci: Inkuadrimi në Superligë si kampion ishte qëllimi ynë i vetëm

“Ka qenë sezon shumë i vështirë, mirëpo objektivi i qartë ka qenë prej fillimit këtë vit inkuadrimi [në Superligë] si kampion madje, këtë vit nuk kemi dashur as ta konsiderojmë barazhin, normalisht që kemi mundur të përfundojmë edhe në barazh mirëpo ekipi ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që prej xhiros së parë e deri në xhiron e fundit kemi qenë në vend të parë, kemi udhëhequr, kemi pasur diferenca në momente të caktuara deri në shtatë pikë, kemi mundur me kundërshtarin direkt ta thellojmë atë diferencë në dhjetë pikë... E kemi merituar edhe për shkak të futbollit të bukur që e kemi luajtur, për shkak të sulmit shumë më të mirë në të dy grupet, për shkak të mbrojtjes më të mirë në të dy grupet, kështu që mendoj se kemi bërë një punë të mirë dhe një sezon të mirë”, theksoi fillimisht Boroci.

Duke folur në një intervistë për KosovaPress, Boroci bën të ditur se klubi do të jetë aktiv edhe në afatin kalimtar duke sjellë lojtarë cilësorë që do ta përballojnë kualitetin që i duhet Superligës së Kosovës.

Boroci: Duke ditur nivelin e Superligës, duhet të sjellim lojtarë cilësorë

“Ne planifikojmë ta mbajmë një pjesë të strukturës së ekipit, lojtarë që ne besojmë se disa edhe do të luajnë nga fillimi standard, disa do të jenë në konkurrencë me lojtarë që duhet t’i sjellim mirëpo ne jemi shumë të vetëdijshëm që kualiteti i Superligës është nuk po them që ta bëjmë Premierligë shumë larg, por është dukshëm më i lartë dhe normalisht që ne synojmë që të sjellim lojtarë cilësorë, me potencial por edhe lojtarë cilësorë sepse tani ne hyjmë në fazën kur duam të ndërtojmë lojtarë në kuptimin e hapësirë për lojtarë të rinj”, thotë tutje Boroci.

Ai zbulon tutje edhe objektivin që Prishtina e Re e ka në edicionin promovues në elitën e futbollit vendor.

Boroci: Për vitin e parë synimi do të jetë qëndrimi në Superligë

“Vitin e parë normalisht që duhet të jemi shumë real që skuadra e Supeligës veç se e kanë të ndërtuar një bërthamë të madhe të kualitetit që e kanë një pjesë e madhe e tyre. Ne nuk mundemi sepse nuk e kemi as politikë që ta ndryshojmë të gjithë ekipin sepse ne besojmë te potenciali i disa futbollistëve që ne i kemi dhe mund të luajnë në Superligë, mund të rriten, janë lojtarë 20-22 vjeçar që kanë shumë potencial dhe kanë bartur shumë barrë në nivelin e Ligës së Parë por normalisht që do të sjellim kualitet dhe vit pas viti do të shkojmë duke e rritur kualitetin dhe normalisht me rritjen e kualitetit, rritjen e investimit synojmë ta arrijmë edhe objektiva të tjera”, thotë Boroci.

E derbi lokal me Prishtinën pritet të sjellë atmosferë të zjarrtë në kryeqytet, por Boroci thotë se ata duan ta mposhtin Prishtinën katër herë brenda një edicioni.

Boroci: Nëse mundemi, Prishtinën do ta mposhtim katër herë në sezon

“Prishtina është klub shumë i madh, klub me nam dhe me histori dhe ne e respektojmë dhe vlerësojmë shumë. Ne do ta shohim punën tonë në këtë aspekt, nëse mundemi do ta mposhtim katër herë në sezon, por normalisht ky është futboll, shumë besoj që do të jap një frymë pozitive në kuptimin e atmosferës dhe disponimit të përgjithshëm në qytet ndeshjet ose përballjet tona direkte me Prishtinën, ndoshta mund ta quaj edhe derbi lokal. Unë me aq sa kam parë si futbollist sa kam qenë më ka mbetur ëndërr që nuk e kam luajtur njëherë derbin Drita-Gjilani”, bën të ditur Boroci.

Sa i përket diskutimit nëse ka parregullsi ose konflikt ligjor në lidhje me emrin e klubit, Boroci sqaron se gjithçka është brenda suazave ligjore në këtë drejtim.

Boroci: S’ka asnjë konflikt ligjor sa i përket emrit të skuadrës sonë dhe të KF Prishtinës

“Jo, nuk ka asgjë të vërtetë, të paktën nga ana jonë jo, ne edhe bazën ligjore e kemi të sqaruar sepse është e precizuar qartë që në momenti që i ke tri shkronja dallim nuk ka ndonjë konsekuencë diçka, ne i kemi tri shkronja dallim me Prishtinën. Gjëja tjetër që është e rëndësishme është se në Angli i kemi Manchester United dhe Manchester City, do të thotë kjo nuk përbën asgjë...Nuk duhet të ketë as nuk do të ketë ndonjë problem, në aspektin ligjor jemi komplet në rregull te kjo pjesë”, theksoi Boroci.

E sa i përket vendit se ku do t’i luajë Prishtina e Re ndeshjet e sezonit në Superligë, Boroci bëri të ditur po punohet në stadiumin në Hajvali, por që ai nuk pritet të jetë gati deri në pranverën e vitit të ardhshëm dhe si rrjedhojë për sezonin vjeshtor do të bëhet ndonjë zgjidhje urgjente në ndonjë stadium alternativ. 



Read it all at Bota Sot