Ndeshja me Serbinë, Sylvinho e ka një porosi për Kuqezinjtë

- Bota Sot

Ndeshja me Serbinë, Sylvinho e ka një porosi për Kuqezinjtë

Kombëtarja e Shqipërisë do të zhvillojë dy ndeshjet e radhës në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.

Përballja e parë luhet ndaj Serbisë me 7 qershor dhe kundër Letonisë me 10 qershor.

Trajneri Sylvinho ka bërë publike listën me 27 lojtarët e ftuar për këto dy përballje të rëndësishme.

Ai komentoi sfidën me Serbinë, ndërsa tha se përtej historisë, futbollistët duhet të përqendrohen te loja.

“Timonieri” i kuqezinjve u shpreh se kundërshtarët janë në nivel të lartë në aspektin fizik, por shtoi se Shqipëria do jetë në fushën e blertë për të luajtur futbollin e saj.

“Ky është një moment delikat, pasi shumica e lojtarëve janë në përfundim, ose e kanë përfunduar sezonin. Ndaj për shkak të këtij momenti shumë specifik, na duhet të punojmë fort këto rreth 7 ditë. Kemi përballë dy kundërshtarë fizik. Unë kam nevojë për të gjithë lojtarët. Duhet të përqendrohemi vetëm në fushën e lojës. Të ruajmë identitetin tonë. E kuptoj peshën e sfidës ndaj Serbisë, por duhet të fokusohemi vetëm tek loja jonë dhe të hyjmë në fushë vetëm për të bërë lojën tonë”, tha ai.



Read it all at Bota Sot