Arratisja e Lin Delisë në 1948, persekutimi i familjes dhe ritakimi me të pas 42 vitesh! Historia e piktorit shqiptar me pasanikun italian

- Bota Sot

Arratisja e Lin Delisë në 1948, persekutimi i familjes dhe ritakimi me të pas 42 vitesh! Historia e piktorit shqiptar me pasanikun italian

Lin Delija me pikturat e tij dhe mënyrën e jetesës mahniti kryeqytetet e artit evropian. Ai lindi në Shkodër më 3 shkurt 1926 dhe, deri kur u largua nga bota më 9 prill 1994, ndër telajo gdhendi pavdekësinë e vet.

Lin Delija pikturoi tragjedinë e një kombi e i ka dhanë ngjyrë dënesës së nënave e motrave që vuajtën për bijtë e vëllezërit e vrarë, të burgosur, të internuar apo të detyruar si ai që të braktisin atdheun. Ai u lind ne Shkodër më 3 janar 1925. Kur ishte 10 vjeç hyri në shkollën e Fretënve Françeskanë dhe më pas në liceun “Illyricum”, ku edhe mori hov së pari talenti i tij artistik. Studioi në fillim në Herceg Novi dhe pastaj në Zagreb në Akademinë e Arteve të Bukura.

Ai arratiset më 1948 drejt Italisë me ndihmën e Ernest Koliqit, i cili i siguroi bursë studimi në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Mjeshtrat e tij ishin Mario Mafai dhe Amerigo Bartoli – prej të cilëve ai mori njohuritë e teknikave bashkëkohore dhe përsosi më tej botëkuptimin e tij artistik duke ndërthurur në mënyrë harmonike modernen me elementin etnik, shqiptar dhe ballkanik. Në vitin 1969 Lin Delija themelon Akademinë e Artit “Gjergj Fishta” dhe në vitin 1983 krijon Akademinë e Artit “Carlo Cesi” në vilën Mentuccia në Antrodoko. Veprat e tij ekspozohen në Pinakotekën e Artit Modern në Vatikan, në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Romë, në Muzeumin «Lin Delija» në Antrodoko, në Muzeun e Qytetës të Osimo-s, në Qendrën e Studimeve të Artit Modern në Brescia, në Galerinë e Artit Modern në Palermo, në Muzeun e Shën Anës në Quebec të Kanadasë, në Universitetin e Erlangenit në Gjermani, në Nju Jork etj.

Gazeta “Panorama” mëson se në qytetin e Osimo-s ekziston një muze i kushtuar mjeshtrit Delija, ndërsa miqtë e tij të vjetër të Antrodokos i kanë ngritur një muze në vitin 2002 në qytetin ku jetoi. Puna e tij u shfaq në Romë dhe njerëzit shkuan në shtëpinë e tij në Itali për të parë artet e tij.

Arratisja

Lin Delija u arratis nga Shqipëria kur ishte 20 vjeç dhe shkoi në Kosovë, që atëherë ishte pjesë e ish- Jugosllavisë. Piktori punoi fillimisht duke bërë murale fetare. Fillimisht studio në Hercegnovi të Malit të Zi, për të vijuar Akademinë e Arteve në Zagreb dhe më pas, për t’u vendosur në Itali, diplomuar për pikturë në Akademinë e Romës. Ai shënoi me jetën dhe krijimtarinë e tij një histori të jashtëzakonshme, ku ndërthuri talentin e fuqishëm si artist, formimin në shkollat më me ndikim të artit botëror, me subjekte dhe frymëzime prej dramave të jetës së tij personale, por edhe të vendit të tij Shqipërisë, të cilën u detyrua ta braktiste në moshën 22 vjeçare, një ditë vere të vitit 1948, për shkak të represionit të pazakonte që po ushtronte regjimi komunist në çdo sferë të shoqërisë shqiptare e sidomos në radhët e klerit katolik në Shkodër.

Ai arratiset me 16 korrik 1948 së bashku me një mikun e tij, Zef Martini dhe kalojnë nga Thethi në Guci. Prej asaj dite, jeta e Lin Delisë, ndryshon plotësisht. Dy të rinjtë e kaluan kufirin shtetëror në fshatin Theth. Pas përpjekjeve në vendet fqinje, në vitin 1950 përfundimisht Lin Delija vendoset në tokën italiane, ku studioi disa akademi dhe më së fundi u vendos në qytetin, që e deshi aq shumë, në Antrodoko. Në këtë qytet ruhen dhe ekspozohen me dashuri dhe inteligjencë, 150 veprat e mjeshtrit shqiptar dhe çdo centimetër e pikturës së tij, të kujton lëkurën dhe aromën e Shqipërisë, vendlindjes së tij. Në Osimo gjendet muzeu kushtuar mjeshtrit Delia, ndërsa miqtë e tij të vjetër të Antrodokos i kanë ngritur një muze në vitin 2002, në qytetin ku ai jetoi. Por pas arratisjen se Linit persekutimi komunist ra mbi familjen e tij të mbetur në Shkodër. Me arratisjen e Linit më 1948, familja i internohet më 1949 njëherë në Kuçovë dhe më tej në Turan të Beratit. Ai do të mund të takohej në fillim të viteve ’90 vetëm me një pjesë të vogël të familjes së tij, duke mbajtur në zemër, dhimbjen e dekadave dhe pengun e përjetshëm të ndarjes me ta. Piktori Lin Delija mbylli sytë me 9 prill 1994 në Romë në moshën 68 vjeçare.

Portreti i një artisti

Piktori Lin Delija, formoi në rrugën e jetës së tij 68 vjeçare, portretin e një artist të madh e me ndikim në sferën ndërkombëtare të artit pamor. Në artin e vet Lin Delija ka interpretua botën në dy përmasat e saja thelbësore: të shenjtën dhe tokësoren. Tokësorja shkëlqen në figurat rinore, përderdhet me tingujt e një jete të lumtun e plot laryshí – kjo është pjesa që ai ka përjetuar në botën e lirë. Por ka edhe një realitet tjetër tokësor që zen vendin më kryesor në shpirtin e tij. Ai përbëhet prej kujtimeve vetiake dhe prej rrëfimeve të atyre që kishin ikë prej atdheut. Nëpërmjet tyre vijnë deri tek ai lotët, plagët, jeta e burgjeve, kumtet për mësuesit e shokët e pushkatuar, mundimet e një populli e të një Kishe heroike.

Te Delija ndërthuret kthjelltësia dhe zymtësia, efektet ndriçuese marrin hov prej pranisë së territ, raportet tonale dhe sprovat kromatike shpeshherë janë origjinale dhe bazohen në gjendjen shpirtërore, por edhe në momentet e jetuara. Lin Delija është i vetmi piktor në Botë për të cilin pozoi Nënë Tereza. Ai realizoi të gjitha portretet e françeskanëve të mëdhenj si Fishta, Harapi, Shllaku, Prennushi etj. Ndonëse i lëvroi të gjitha gjinitë “il profano” e “il sacro”… Interpretimi i Biblës nëpërmjet ngjyrave e bëri atë një nga piktorët më të mëdhenj të artit të shenjtë në Europë gjatë shekullit 19, siç do ta përkufizonte kritiku i njohur i artit Vittorio Sgarbi. Lin Delija e mbajti kudo si kryq në shpinë Shqipërinë e tij, atë të vjetrën, tradicionalen, me heronjtë, luftërat, priftërinjtë, gratë e vashat, malësorët eshtakë dhe rilindësit e saj, që e nxorën atë nga përzhitja otomane.

Veprat e Lin Delisë janë të shpërndara në koleksione publike dhe private, në Vatikan, në Romë, në Galerinë e Arteve Moderne në Palermo, në Bazilikën “Santa Maria del popolo” në Romë, dhe në galeri të tjera dhe muze, si ai i “Sant Anna” në Quebec (Kanada). Vetëm në Antrodoko ruhen dhe ekspozohen 150 veprat e mjeshtrit shqiptar dhe çdo centimetër e pikturës së tij, të kujton lëkurën dhe aromën e Shqipërisë, vendlindjes së tij. Duke e lënë Shqipërinë para ardhjes së komunizmit, Delija artin e tij e krijoi me frymëzimin që i jepnin rrugët e Evropës deri sa, më në fund u vendos në Romë ku kaloi pjesën më të madhe të jetës dhe ku zë vend pjesa kryesore e krijimtarisë së tij. Ndonëse larg, gjithnjë dëshironte të dinte për atdheun. Duke qenë se nuk mund të abonohej në revistat vendase, sipas miqve të tij, çdo muaj i vinin thuajse të gjithë revistat e Kosovës, asokohe pjesë e Jugosllavisë dhe shumë herë më liberale se Shqipëria. Historia me pasanikun Gazeta “Panorama” rikthen një ngjarje të shumë viteve më parë të piktorit shqiptar me një pasanik italian të cilën e ka rrëfyer vetë Lin Delija.

Në një prej intervistave të kohës, Lin Delia shprehet: “Para disa ditësh erdhi një pasanik i këtij rrethi. E njihja mirë edhe më para. Qëndroi me mua për pak kohë. Sillet andej – këndej nëpër atelienë time. Pastaj më tha: ‘Më pëlqen kjo pikturë maestro Delija.’ Unë nuk i dhashë aq shumë rëndësi. Ai gjithnjë insistonte dhe së fundi më pyeti: ‘Maestro, sa kushton kjo pikturë?’ Unë, pa menduar shumë, i thashë një çmim bukur të lartë. Ai menjëherë e hoqi takulinin dhe mi numëroi liretat italiane. E mori pikturën dhe doli… Unë mbeta i vetmuar. E shikoja vendin e zbrazët të pikturës që kisha shitur. Më mungonte! Në mbrëmje shkova te blerësi. Kur më pa, u befasua. Më tha: ‘Urdhëro Maestro! Çfarë nderi kam sonte!’

Pas pak e pyeta: ‘Ku e ke vendosur pikturën që e bleve sot tek unë?’ Më tha: ‘Ja këtu pas dere, pasi nuk pata kohë për ta studiuar mirë vendin ku do ta vendosja.’ Kjo përgjigje dhe sjellje më preku thellë në zemër. Isha tejet i pikëlluar. Më shkoi mendja: Eh pasanikët, mendojnë se mund të bëjnë gjithçka me kë të duan… I kërkova pikturën e pasi insistoi, qe i detyruar të ma kthente pikturën e shitur, ndërsa unë i ktheva paratë dhe i lumtur e solla prap në studio, në vendin që i takonte.” Në vitin 1968, Lin Delija hapi në Atrodoco ekspozitën “Arta Sacra – Gjoni XXIII” e cila i dha rrugë akademisë së mëvonshme për të cilën u vlerësua deri edhe nga Papa Pali VI. Në këtë akademi, u formësuan, edukuan dhe frymëzuan shumë artistë të rinj me të cilët Italia ka dekada që mburret.



Read it all at Bota Sot