Klubi i Premier League, Everton, e ka konfirmuar se katër lojtarë të huazuar do të largohen nga skuadra në fund të muajit të ardhshëm, kur edhe përfundojnë marrëveshjet e tyre të huazimit.
Jack Harrison, Jesper Lindstrom, Orel Mangala dhe Armando Broja do të rikthehen në klubet e tyre përkatëse.
Jack Harrison, i huazuar nga Leeds United për dy sezone, ka qenë një nga figurat më të qëndrueshme te Toffees, duke zhvilluar 73 ndeshje dhe shënuar pesë gola, përfshirë edhe golin në barazimin 1-1 kundër Wolverhampton Wanderers në muajin mars.
Jesper Lindstrom, i ardhur nga kampioni i Serie A, Napoli, verën e kaluar, ka kontribuar në 29 ndeshje gjatë sezonit, duke qenë një element i rëndësishëm në rotacionin e skuadrës.
Orel Mangala, mesfushori belg i huazuar nga Lyon, zhvilloi 21 paraqitje për Everton përpara se të pësonte një lëndim serioz në ligamentin e kryqëzuar të përparmë, që e detyroi të përfundonte para kohe sezonin në janar, në fitoren 1-0 ndaj Brighton.
Ndërsa Armando Broja, sulmuesi shqiptar i ardhur nga Chelsea në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës së kaluar, nuk arriti të linte gjurmë të thellë, duke luajtur 11 ndeshje për klubin.
Trajneri David Moyes ka falënderuar lojtarët e huazuar për kontributin e dhënë.
“Dëshirojmë të falënderojmë të gjithë lojtarët tanë të huazuar, të cilët kanë kontribuar në hapat pozitivë që kemi bërë në fushë. Ata të gjithë përqafuan atë që do të thotë të luash për këtë klub, dhe qëndrimi dhe angazhimi i tyre gjatë gjithë kohës së tyre te Everton ishte i klasit të parë”, ka thënë Moyes.