Federata e Futbollit të Kosovës i ka nxjerrë në shitje biletat e ndeshjes së barazhit për Superligë ndërmjet Vushtrrisë dhe Llapit.
Kjo përballje do të luhet të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë duke filluar nga ora 16:00.
Fituesi i saj do ta sigurojë pjesëmarrjen në Superligën e Kosovës për sezonin 2025/26.
Shtëpia e futbollit kosovar e ka zbuluar edhe linkun ku mund të blihen biletat: https://eu.ebileta.al/biglietteria/listaEventiPub.do
Tribunat që do të jenë të hapura janë: Perëndimi, Jugu dhe Veriu, por jo edhe Lindja.
Ndërkaq, sa i përket çmimit, në Veri dhe në Jug biletat do të kushtojnë nga 3 euro, kurse në Perëndim 10 euro.
Gjithnjë sipas FFK-së, tifozët e Vushtrrisë do të vendosen në tribunën në Veri, kurse atë të Llapit në tribunën në Jug të stadiumit.
Vushtrria përfundoi e dyta në Grupin B të Ligës së Parë dhe në barazhin e kësaj lige e mposhti Lirinë me rezultat 3:1.
Ndërsa tash do ta kërkojë rikthimin në Superligë përmes ndeshjes me Llapin, i cili përfundoi i teti në sezonin e rregullt të ligës elitare dhe rrjedhimisht edhe në barazh, të cilin e siguroi vetëm në xhiron e fundit, duke iu shmangur rënies direkte nga Superliga.