Zyrtarët e muzeut sqarojnë vendndodhjen e kukullës “Annabelle”, pas thashethemeve për zhdukjen e saj

- Bota Sot

Zyrtarët e muzeut sqarojnë vendndodhjen e kukullës “Annabelle”, pas thashethemeve për zhdukjen e saj

Zyrtarët e një muzeu janë detyruar të reagojnë pas përhapjes së shqetësimeve se kukulla e frikshme “Annabelle”, e njohur nga filmat horror, kishte humbur dhe nuk ndodhej më në vendin e saj – me disa që madje pohonin se ajo ishte e “pushtuar në mënyrë demonike”.

Kukulla klasike e llojit Raggedy Ann, që është bërë e famshme në filmat “The Conjuring” dhe “Annabelle”, u përfol se ishte zhdukur nga ekspozita gjatë një ndalese të turneut në New Orleans. Kukulla, e cila po udhëtonte nëpër SHBA si pjesë e turneut “Devils on the Run” të organizuar nga Shoqata për Kërkime Psikike e New England (NESPR), ndodhet aktualisht në Muzeun Okult të familjes Warren në Louisiana, shkruan The Mirror US.

Hetuesi kryesor i NESPR, Dan Rivera, u detyrua të reagojë për të ndalur thashethemet, sidomos pasi disa vizitorë pretenduan se nuk e kishin parë kukullën gjatë vizitës në muze.

Spekulimet për “zhdukjen” u përforcuan më tej pas një zjarri që shpërtheu në resortin Nottoway – dikur një plantacion i njohur – në qytetin White Castle, shumë pranë vendit ku ndodhej kukulla. Disa nisën të besonin se kukulla “e pushtuar” mund të kishte lidhje me këtë incident misterioz.

Rivera iu drejtua ndjekësve të tij në TikTok për të sqaruar situatën. “Jam këtu në muze dhe dua t’ju tregoj se Annabelle është në Muzeun Okult të Warrenëve. Hajde të hyjmë brenda dhe të sigurohemi,” tha ai në një video.

Pasi hyri brenda, Rivera tregoi kukullën ulur brenda një kutie prej druri dhe sqaroi: “Annabelle nuk është zhdukur; nuk është në Chicago”.

Për të forcuar sqarimin, NESPR publikoi edhe një njoftim në Facebook, ku shkruhej: “Janë vetëm thashetheme… Annabelle NUK është vjedhur. Kukulla ndodhet e sigurt në Muzeun Okult të Warrenëve”.

Kjo nuk është hera e parë që përhapen zëra për “zhdukjen” e kukullës famëkeqe. Në vitin 2020, Tony Spera – dhëndri i çiftit të njohur Ed dhe Lorraine Warren – u detyrua të mohojë spekulimet se kukulla kishte ikur. Në një video të publikuar në kanalin e familjes në YouTube, ai u shpreh: “Jam këtu për t’ju treguar diçka. Nuk e di nëse doni ta dëgjoni apo jo, por Annabelle nuk ka ikur. Ajo është këtu. Nuk ka bërë asnjë udhëtim, nuk ka fluturuar në ‘first class’ dhe nuk ka shkuar të takojë të dashurin. Do të shqetësohesha seriozisht nëse Annabelle me të vërtetë do të largohej, sepse nuk është objekt me të cilin mund të tallesh”.

Kukulla Annabelle fillimisht ishte në pronësi të një studenteje në vitet 1970, e cila kërkoi ndihmën e familjes Warren pasi besonte se kukulla po shfaqte sjellje të frikshme dhe të rrezikshme. Hetimet e Warrenëve përfunduan se kukulla ishte “e pushtuar në mënyrë demonike”.



Read it all at Bota Sot