Trajneri portugez Jose Mourinho e ka thënë hapur se nuk kishte dëshira që Interi t’i fitonte tre titujt më të rëndësishëm të seoznit, Serinë-A, Kupan e Italisë dhe Ligën e Kampionëve, objektiv ky që ishte i arritshëm për skuadrën italiane deri para një muaj.
Tani për “Nerazzurrët” mbetet vetëm objektivi maksimal në fushë, Liga e Kampionëve. Duke folur për “Sky Sports”, trajneri portugez pranoi më pas se kishte frikë se rekordi i Interit të tij në vitin 2010 mund të barazohej:
"Do të jem pak i keq, por shumë i sinqertë. Vërtet kisha frikë se ata mund të fitonin tripletën dhe nuk doja që ata ta fitonin. Tripleta është e imja ", tha “Special One” duke buzëqeshur, por jo shumë.
"Por tani që ata kanë humbur si ligën ashtu edhe Kupën e Italisë, duhet të them se do të doja ti shihja të fitonin Ligën e Kampionëve. Megjithatë, Luis Enrique po bën një punë të jashtëzakonshme në Paris. Ai e ka transformuar plotësisht ekipin. Ata kanë humbur, le të themi, lojtarin e tyre numër një, por kanë arritur të rindërtojnë gjithçka në një mënyrë të jashtëzakonshme. Pra, nëse Luis do të fitonte, do të isha i lumtur edhe për të.", tha në fund Mourinho.
Interi dhe Paris-Saint-Germain do të ballafaqohen të shtunën në finalen e Ligës së Kampionëve.