Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka organizuar sot takim pune me Drejtorinë Rajonale të Policisë për rajonin e Prizrenit, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe rritjen e efikasitetit në veprimet e përbashkëta ndërinstitucionale.
Në këtë takim morën pjesë Drejtori i Policisë Rajonale në Prizren kolonel Faton Alija, Komandantët e të gjitha stacioneve policore në Prizren, Suharekë, Dragash dhe Mamushë, Shefat e hetimeve, udhëheqësit e njësive të specializuara, si dhe prokuror nga kjo prokurori, thuhet në një komunikatë dërguar medieve nga zyra për informim publik e kësaj Prokurorie.Në fokus të takimit ishin shkëmbimi i informacionit, koordinimi në fazat e hetimit, si dhe përmirësimi i procedurave të përbashkëta që ndihmojnë në luftën kundër kriminalitetit.
Kryeprokurori Kryeziu, theksoi rëndësinë e një komunikimi të hapur, profesional dhe në kohë mes institucioneve, si faktor kyç për rritjen e besimit publik dhe funksionimin efikas të drejtësisë. Ai, gjithashtu përmendi sfidat me të cilat ballafaqohet prokuroria në baza ditore për trajtimin e veprave penale të ndryshme, duke adresuar çështje për përmirësim gjatë veprimeve hetimore të policisë, por pa lënë anash edhe adresimin e vetë kritikave.
Po ashtu, drejtori i Policisë Rajonale në Prizren kolonel Faton Alija, vlerësoi mbështetjen dhe bashkëpunimin me Prokurorinë e Prizrenit, duke shprehur gatishmërinë për bashkërendim të vazhdueshëm në të gjitha nivelet operative.
Gjatë këtij takimi u diskutua për hapa konkretë që synojnë harmonizimin e veprimeve mes prokurorisë dhe policisë, me qëllim përmirësimin e cilësisë së hetimeve dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Takimi u konsiderua produktiv nga pjesëmarrësit, të cilët theksuan nevojën për vazhdimin e kësaj qasjeje bashkëpunuese për të garantuar që puna e këtyre institucioneve, përkatësisht e sistemit të drejtësisë të funksionojë në mënyrë transparente dhe në përputhje me standardet më të larta ligjore, thuhet në fund të kësaj komunikate./ Gazeta e Prizrenit /