Vllaznia nis misionin e ri më 2 qershor, grumbullimi në Shkodër, faza përgatitore në Bansko të Bullgarisë

- Bota Sot

Vllaznia nis misionin e ri më 2 qershor, grumbullimi në Shkodër, faza përgatitore në Bansko të Bullgarisë

Pas një periudhe të shkurtër pushimi, ku zhurma e topit është zëvendësuar nga heshtja e pushimeve, Vllaznia po përgatitet të rikthehet në fushë.

Data 2 qershor shënon pikënisjen e sezonit të ri për kuqeblutë, me grumbullimin zyrtar dhe seancën e parë stërvitore që do të zhvillohet në shtëpinë e futbollit shkodran, stadiumin “Loro Boriçi”.

Ky grumbullim nuk është thjesht një rikthim në stërvitje, por edhe një fillim i ri nën drejtimin e trajnerit Edi Martini, i cili rikthehet në pankinën e Vllaznisë me një projekt të qartë dhe ambicioz.

Martini pritet të prezantojë edhe stafin e tij teknik, ku emra të njohur si Ergi Borshi në rolin e zëvendëstrajnerit, Ideal Lekiqi si trajner portierësh dhe Aurel Locaj si përgatitës atletik janë në plan për të qenë pjesë e këtij rrugëtimi.

Për dhjetë ditë, nga 2 deri më 12 qershor, skuadra do të zhvillojë seancat e para stërvitore në Shkodër, periudhë që do të shërbejë për testime fizike, riaftësim pas pushimeve dhe integrimin e prurjeve të reja që pritet të afrohen në këtë merkato vere.

Pastaj nis pjesa më intensive: faza përgatitore do të zhvendoset jashtë kufijve, në Bansko të Bullgarisë, një qendër moderne dhe e njohur për kushtet e saj optimale për stërvitje verore.

Nga data 12 deri më 30 qershor, Vllaznia do të ngrejë “kampin” në Ballkanin Lindor, ku priten edhe ndeshjet miqësore për të testuar skuadrën dhe për të ndërtuar formën e duhur në prag të sezonit të ri.

Me një kombinim mes përgatitjes serioze dhe ambicieve të ripërtërira, Vllaznia duket e vendosur ta nisë me këmbë të mbarë sezonin 2025-2026.



Read it all at Bota Sot