Presidenti kroat, Milanoviq: Askush më nuk do të hyjë në BE, ndoshta vetëm edhe Mali i Zi

- Bota Sot

Presidenti kroat, Milanoviq: Askush më nuk do të hyjë në BE, ndoshta vetëm edhe Mali i Zi

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, të enjten mbajti një ligjëratë para studentëve të Universitetit të Veriut në Koprivnicë, ku foli për sfidat globale dhe kontekstin politik bashkëkohor, duke u ndalur edhe te roli i NATO-s, Bashkimit Evropian, si dhe lufta në Ukrainë.

Duke folur për nenin mbrojtës 5 të aleancës NATO, Milanoviq theksoi se ai “kërkon një reagim në mënyrë adekuate”. Megjithatë, pjesën më të madhe të fjalimit ia kushtoi luftës në Ukrainë, për të cilën tha se përfaqëson një “luftë rraskapitjeje”, dhe jo një luftë pozicionesh klasike si ajo e Luftës së Parë Botërore.

Presidenti kroat gjithashtu deklaroi se zgjerimi i Bashkimit Evropian është në ngërç, duke thënë se “askush më nuk do të hyjë në BE, ndoshta vetëm Mali i Zi. Shtetet mashtrohen me premtime të rreme për anëtarësim, vetëm që të nxirren prej tyre disa lëshime”, shkruan klix.ba.

Ai shtoi se nga disa vende pritet të përshtatin politikën e tyre të jashtme me interesat e Perëndimit, veçanërisht sa i përket përballjes me Rusinë. Si shembull përmendi Gjeorgjinë, një vend me rritje të fortë ekonomike falë pozitës së saj gjeografike, që sipas tij, gjithashtu po përdoret për qëllime gjeopolitike.

Duke u ndalur në gjendjen e BE-së, Milanoviq tha se Unioni nuk është më një fuqi botërore siç konsiderohej dikur.

Megjithatë, ai vlerësoi se Bashkimi Evropian është një projekt i suksesshëm sepse ka parandaluar konfliktet mes shteteve anëtare dhe ka kontribuar në stabilitetin rajonal.

Ndryshe, Kandidatët aktualë për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) janë disa shtete të Ballkanit Perëndimor dhe disa vende të tjera që kanë bërë hapa drejt integrimit evropian. Më poshtë është një listë me vendet kandidate zyrtare dhe ato që janë potencialisht kandidate, sipas të dhënave të fundit:

Vendet kandidate zyrtare për anëtarësim në BE:

Shqipëria – Ka hapur negociatat e anëtarësimit në korrik 2022.

Maqedonia e Veriut – Po ashtu ka hapur negociatat në korrik 2022.

Mali i Zi – Negociatat e anëtarësimit janë hapur në vitin 2012, por progresi ka qenë i ngadaltë.

Serbia – Në negociata që nga viti 2014, por ka sfida të mëdha, veçanërisht për shkak të çështjes së Kosovës.

Bosnje dhe Hercegovina – U shpall vend kandidat në dhjetor 2022, por ende nuk ka hapur negociatat.

Ukraina – U shpall kandidate në qershor 2022, pas fillimit të luftës me Rusinë.

Moldavia – Po ashtu mori statusin e kandidatit në qershor 2022.

Gjeorgjia – Statusi i kandidatit iu dha në dhjetor 2023, me kushte për përparim të mëtejshëm.

Potencialisht kandidate:

Kosova – Nuk ka statusin e kandidatit ende, por ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në dhjetor 2022 dhe ka një Marrëveshje të Stabilizim-Asociimit (MSA) me BE-në që nga 2016.



Read it all at Bota Sot