Një projekt-memorandum i Ukrainës për Rusinë përfshin dispozita për një armëpushim në tokë, në ajër dhe det, i cili do të monitorohet nga partnerët ndërkombëtarë, raporton New York Times, duke cituar një zyrtar të lartë ukrainas të paidentifikuar.
Ukraina i dorëzoi dokumentin e saj palës ruse përpara raundit të dytë të bisedimeve të paqes midis Kievit dhe Moskës, që mund të zhvillohet në Stamboll më dy qershor, tha ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov, raporton Kyiv Independent.
Pikat e raportuara nga gazeta amerikane pasqyrojnë një kërkesë të gjatë nga Ukraina dhe partnerët e saj për një armëpushim gjithëpërfshirës dhe të pakushtëzuar në tokë, në ajër dhe në det për të paktën 30 ditë - një propozim që Rusia e ka injoruar vazhdimisht.
Bisedimet e paqes në Stamboll gjithashtu përfunduan më 16 maj pa një marrëveshje midis dy palëve për një armëpushim.
Zëvendësministri i Jashtëm ukrainas Serhiy Kislica, i cili ishte i pranishëm në bisedimet në Stamboll, tha se ekipi negociator rus ka deklaruar vazhdimisht se "një armëpushim pa kushte është kategorikisht i papranueshëm".
Moska ka propozuar dy qershorin si datën e raundit tjetër të bisedimeve me Ukrainën, pavarësisht se ka përshkallëzuar sulmet e saj ndaj vendit, raporton KosovaPress.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha të enjten se delegacioni rus, i udhëhequr nga këshilltari presidencial Vladimir Medinsky, është i gatshëm ti paraqesë një memorandum armëpushimi palës ukrainase dhe të jep sqarimet e nevojshme gjatë takimit të ardhshëm në Stamboll.
Shefi i kabinetit të presidentit ukrainas, Andriy Yermak, tha se Ukraina është e gatshme të zhvillojë një raund të ri negociatash javën e ardhshme, por këmbëngul që të marrë një memorandum paraprakisht.
Kushtet e presidentit rus Vladimir Putin për ti dhënë fund luftës përfshijnë një premtim me shkrim nga NATO për të mos pranuar anëtarë të rinj nga Evropa Lindore, heqjen e disa sanksioneve dhe statusin neutral të Ukrainës.