Një vit rrugëtim progesiv në Shërbimin e Kardiologjisë Intervente në Spitalin e Prizrenit

- Gazeta e Prizrenit

Një vit rrugëtim progesiv në Shërbimin e Kardiologjisë Intervente në Spitalin e Prizrenit

Të premten, në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren, u mbajt punëtoria me temën: “Një vit rrugëtim në Shërbimin e Kardiologjisë Intervente – Progresi dhe Perspektivat”.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues nga institucione vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë stafin e kardiologjisë invazive, menaxhmentin e spitalit nën drejtimin e Drejtoreshës Ekzekutive, Dr. Narqize Arënliu-Hoxhaj, Ministrin e Shëndetësisë Dr. Arben Vitia, z. Eric Dietz – i ngarkuari me punë në Ambasadën e Luksemburgut në Kosovë, përfaqësues të Institutit Kombëtar për Kardiokirurgji dhe Kardiologji Intervente nga Luksemburgu – INCCI, Dr. Arnaud Charpentier dhe Dr. Fethi Ben Ahmed, Dr. Afërdita Ademi Osmani, udhëheqëse e projektit KSV/017, Dr. Faik Shatri, drejtor i Klinikës së Kardiologjisë në QKUK me kardiologët Dr. Agim Krasniqi dhe Dr. Daut Gorani, si dhe ekspertë të tjerë të fushës.

Dr. Narqize Arënliu-Hoxhaj, Drejtoreshë Ekzekutive e Spitalit: “Kjo punëtori përbën një moment të rëndësishëm reflektimi dhe vlerësimi për një ndër arritjet më të mëdha, jo vetëm për qytetarët e Prizrenit dhe Spitalin tonë, por për të gjithë sistemin shëndetësor të Republikës së Kosovës.Hapja e Shërbimit të Kardiologjisë Intervente – Laboratorit të Kateterizimit ka sjellë një ndryshim rrënjësor në trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare, duke mundësuar ofrimin e procedurave të avancuara si koronografia dhe vendosja e stenteve. Që nga inaugurimi më 14 qershor 2024, janë realizuar 698 koronografi dhe 253 stentime – një dëshmi e përkushtimit profesional dhe e nevojës së madhe për këtë shërbim.Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen institucionale nga Qeveria e Kosovës, Ministria e Shëndetësisë, SHSKUK, Qeveria e Luksemburgut dhe Projekti KSV/017 – LuxDev. Kjo përfaqëson vullnetin tonë të përbashkët për një sistem shëndetësor më cilësor dhe të qëndrueshëm.”

Dr. Arben Vitia, Ministër i Shëndetësisë:
“Hapja e Kardiologjisë Invazive në Spitalin e Prizrenit dhe rezultatet e arritura brenda më pak se një viti përbëjnë një arritje të jashtëzakonshme. Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojnë mbështetjen për realizimin e projekteve që sjellin shërbime cilësore më pranë qytetarëve. Jemi mirënjohës dhe falënderues ndaj stafit mjekësor dhe menaxhmentit të Spitalit të Prizrenit, stafit të QKUK-së, si dhe Qeverisë së Luksemburgut, të cilët me përkushtimin dhe mbështetjen e tyre janë ndër më të merituarit për këtë arritje dhe për rikthimin e besimit të qytetarëve në institucionet publike shëndetësore.”

Z. Eric Dietz, Ambasada e Luksemburgut në Kosovë: “Dua te filloj duke thënë që kemi marrëdhënie shumë të mira mes Luksemburgut dhe Kosovës dhe jemi më shumë se miq, ndërsa miqt përkrahin njëri-tjetrin, dhe kjo është e dyanshme. Jam shumë i kënaqur që bashkë mund të bëjmë diçka të mirë si në Laboratorin e Kateterizimit ku po shpëtojmë jetë të qytetarëve. Nuk ka asgjë më të mirë që bashkë të ofrojmë kujdesin më të mirë shëndetësor për popullin e Kosovës. Mund të llogarisni në perkrahjen e Luksemburgut për të punuar bashkë këtu në Prizren, por edhe Prishtinë dhe Gjilan ku bashkë do të ofrojmë kujdesin më të mirë shëndetësor. Ajo që është bërë këtu në spitalin e Prizrenit është e jashtëzakonshme ku kemi shpëtuar rreth 700 jetë. Kjo është fantastike dhe dua të falënderoj drejtuesit dhe doktorët e këtij spitali që kanë bërë punë të mrekullueshme”.
Dr. Arnaud Charpentier, INCCI – Luksemburg: “Është kënaqësi të mbështesim CathLab-in e Prizrenit, një bashkëpunim që ka nisur para katër vitesh dhe është konkretizuar me hapjen e këtij laboratori. Rezultatet e vitit të parë janë mbresëlënëse, dhe do të vazhdojmë të mbështesim ngritjen e kapaciteteve të këtij shërbimi.”

Dr. Fazli Berisha, Shef i Kardiologjisë Intervente në Spitalin e Prizrenit dhe Dr. Faik Shatri, Drejtor i Klinikës së Kardiologjisë në QKUK, diskutuan për rëndësinë e bashkëpunimit dhe përpjekjet drejt pavarësimit të plotë të këtij shërbimi në Prizren.
Pas prezantimeve, u zhvilluan diskutime mbi progresin, sfidat dhe perspektivat e ardhshme të Kardiologjisë Intervente, me pjesëmarrjen aktive të Dr. Hasan Arzoallxhiut, Drejtor Mjekësor, si dhe kardiologëve Dr. Agim Krasniqi dhe Dr. Daut Gorani nga QKUK.

Në shenjë falënderimi dhe vlerësimi për kontributin në funksionalizimin dhe avancimin e Shërbimit të Kardiologjisë Intervente në Prizren, u ndanë mirënjohje për: Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrin Dr. Arben Vitia, SHSKUK dhe Drejtorin e Përgjithshëm Elvir Azizi, Klinikën e Kardiologjisë në QKUK, Kardiologjinë Intervente – Laboratorin e Kateterizimit në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” Prizren, Ambasadën e Luksemburgut dhe të ngarkuarin me punë, z. Eric Dietz, INCCI – Luksemburg, Zyrën LuxDev në Prishtinë dhe Programin KSV/017 – Fazë II

Të dhëna për Kardiologjisë Intervente –Laboratori i Kateterizimit në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren
Inaugurimi është bërë më datën 14 qershor 2024. Nga data 14 qershor 2025 deri më 28 maj 2025 janë realizuar:Koronografi:698 dhe Stentime:253.
Gjatë vitit 2024 janë realizuar 324 koronografi dhe 120 Stentime 120, ndërsa gjatë vitit 2025 janë realizuar 374 koronografi dhe 133 stentime.

Nga data 14 qershor 2024 deri më 09 dhjetor 2024: 2 herë në javë (24 orë). Nga data 09 dhjetor 2024 deri më 31 dhjetor 2024: 5 herë në javë. Nga data 01 janar 2025: 5 herë në javë + të shtunën kujdestari 24 orë.
Në përmbyllje, u konstatua se kjo ngjarje shënon një etapë të rëndësishme në rrugëtimin drejt një sistemi shëndetësor më të avancuar dhe më të përkushtuar ndaj nevojave të qytetarëve dhe se
Shërbimi i Kardiologjisë Intervente në Prizren është shembull i suksesshëm i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, duke vendosur standarde të reja në ofrimin e kujdesit shëndetësor.



Read it all at Gazeta e Prizrenit