Alarmi për përhapjen e fruthit në Kosovë ka bërë që shumë prindër të marrin masa të menjëhershme për mbrojtjen e fëmijëve të tyre, duke i vaksinuar me MMR – vaksinë kundër fruthit, shytave dhe rubeolës.
Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), deri tani janë regjistruar 23 raste me fruth. Shumica e të prekurve janë fëmijë të pavaksinuar, të moshës nga 1 deri në 2 vjeç.
Faik Hoti nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik tha se tashmë këto raste shumica janë shëruar e disa janë në trajtim.
Ai shtoi se rastet e fëmijëve me fruth janë të identifikuara në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Lipjan, Fushë-Kosovë e Prishtinë.
Hoti: Në Kosovë janë konfirmuar 23 raste me fruth
“Aktualisht sipas regjistrimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, në vendin tonë janë 23 raste të konfirmuara të fruthit, bëhet fjalë në shumicën e rasteve për fëmijë të cilët nuk janë të vaksinuar, respektivisht nuk e kanë kompletuar marrjen e vaksinës kundër fruthit, rubellës. Këta fëmijë vijnë kryesisht nga kopshtet parashkollore, janë shumica prej tyre prej moshës 1 deri 2 vjeç dhe disa raste të tjera janë raste të raste të kontakteve që janë ndërlidhje drejtpërdrejtë epidemiologjike me rastet e kopshteve... Këto janë raste të cilat janë regjistruar, shumica prej tyre e kanë kaluar, disa janë në shërim e sipër”, thotë Hoti.
Por, sipas Hotit të IKSHPK-së, ngritja e alarmit për këto raste ka vetëdijesuar prindërit dhe tashmë interesimi për vaksinimin e fëmijëve kundër fruthit, është rritur.
Hoti: Është rritur interesimi për vaksinimin e fëmijëve kundër fruthit
“Alarmimi i situatës, bërja publike e informacioneve për rastet e regjistruara të fruthit kanë pasur një efekt pozitiv tek prindërit sepse është rritur shumë interesimi për vaksinimin e fëmijëve dhe ne si IKSHP iu bëjmë thirrje të gjithë prindërve që nuk i kanë vaksinuar fëmijët për çfarëdo arsye, ta bëjnë këtë menjëherë sepse vaksina është mënyra më e mirë dhe më parandaluese kundër fruthit”, theksoi ai.
Faik Hoti nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik siguron prindërit që vaksina MRM është vaksinë e sigurt dhe nuk prodhon efekte anësore tek fëmijët.
Ai bënë thirrje për imunizim të fëmijëve kundër fruthit, pasi siç shtoi Hoti infeksioni me fruth mund të sjell edhe fatalitet.
Hoti: Vaksina kundër fruthit, e sigurt dhe nuk prodhon efekte anësore
“Vaksina kundër fruthit jepet prej më shumë se 60 viteve, është ndër vaksinat më të sigurta dhe tepër pozitive dhe nuk prodhon efekte anësore të cilat do të mund të ishin shqetësim për prindërit... Vaksina duhet të kompletohet, doza e parë duhet t’iu jepet fëmijëve në moshën 12 muajshe, doza e dytë në moshën 6 vjeçare. Por, nëse ndonjë prind, për ndonjë arsye e ka vonuar marrjen e dozës së parë, nuk ka problem, mund të jepet në një afat të spostuar, por me rëndësi vaksina duhet kompletuar… Fruthi nuk është infeksion siç është gripi, është shumë më serioz dhe një në gjashtë raste mund të jap komplikime shumë të rënda siç është ndezja e cipave të trurit, probleme me sistemin mushkëror, madje në raste ekstreme mund të shkaktojë edhe vdekje”, tha ai.
Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse infektive, e shkaktuar nga virusi i fruthit. Kjo sëmundje përhapet lehtësisht nga personi në person përmes pikosave të ajrit që lëshohen kur një i infektuar kollitet, teshtin apo flet.
Simptomat kryesore të fruthit përfshijnë: temperaturë e lartë, kollë e thatë, rrjedhje të hundëve, sytë e skuqur dhe të ndjeshëm ndaj dritës, skuqje në lëkurë që fillon zakonisht nga fytyra dhe përhapet në gjithë trupin dhe njolla të bardha në gojë.
Viteve të fundit ka një shpeshtim të rasteve të fruthit në gjithë vendin. Kjo ka ardhur si rezultat edhe i mos vaksinimit me vaksinën MMR edhe gjatë periudhës së COVID-19.