Ish-bashkëlojtari i Zhegrovës: Më kujton Robbenin

- Bota Sot

Ish-bashkëlojtari i Zhegrovës: Më kujton Robbenin

Në një intervistë për “Radio Kiss Kiss Napoli”, Andrea Rocco Padula, ish-shok skuadre i Edon Zhegrovës në kohën kur të dy luanin te Baseli, ka dhënë disa mendime pozitive për sulmuesin kosovar, i cili pëlqehet shumë nga Napoli: “Nga pikëpamja cilësore, është një nga futbollistët më të mirë me të cilët kam luajtur, në mos më i miri.

Ai gjithmonë përballet drejtpërdrejt me kundërshtarin, e mban topin gjithmonë ngjitur në këmbë, qoftë kur përshpejton, qoftë kur bën driblime në hapësira të ngushta. Është një nga ata lojtarë të majtë që japin më të mirën kur luajnë lart në krahun e djathtë.

Pas largimit nga Baseli e kam ndjekur nga larg, kam parë që, përveçse ka përmirësuar statistikat e tij personale në gola dhe asistime, ka bërë progres të madh edhe në fazën pa top. Edhe në kohën tonë te Basel, trajnerët i kërkonin të sakrifikohej. Ai gjithmonë ishte i gatshëm t’i ndihmonte shokët e skuadrës në mbrojtje.

Sinqerisht, shpresoj të vijë te Napoli, sepse është një nga ata lojtarë që publikut të ‘Maradona’ do t’i pëlqejë shumë. Në atë stadium mund të ‘fluturojë’, sepse ai shkëlqen kur ndien mbështetjen e një publiku të zjarrtë.

Duke respektuar përmasat, për trupin dhe karakteristikat, ai më kujton Robben. Nuk kam folur me të prej 3-4 vitesh, por nëse këto ditë më jepet mundësia, do t’i thoja të shkonte me vrap te Napoli. Edhe pse, besoj se tashmë është mëse i bindur për ta pranuar këtë sfidë.

Për më tepër, prania e Rrahmanit në skuadër është një faktor i madh për t’ia lehtësuar përshtatjen në ekip dhe qytet. Jam i sigurt se janë kontaktuar tashmë”..



Read it all at Bota Sot