“Kam qenë edhe në Stamboll para dy vitesh, por kjo finale është ndryshe, – thotë Wesley Sneijder për supersfidën vendimtare të Ligës së Kampionëve 2025-2026, që do të zhvillohet sonte mes Interit dhe PSG-së. – Jo vetëm sepse nuk ka një favorit të qartë, por sepse PSG nuk duket aq dominant sa ishte Manchester City më 2023.
Është Interi ai që ka ndryshuar: është më i madh, më i fortë, më i vetëdijshëm. Mund të them se ka përfunduar një rrugëtim të gjatë dhe ka arritur pjekurinë e plotë. Edhe humbjet, si ajo finale e dy sezoneve më parë, kanë shërbyer për ta bërë këtë skuadër kaq të kompletuar. Madje jam i bindur se Interi do të jetë i motivuar të reagojë menjëherë pas titullit të humbur.
Natyrisht, titulli është dhe do të mbetet një keqardhje e madhe, sepse mungonte shumë pak për ta fituar. Mos më kërkoni parashikime, sepse kush i bën, zakonisht gabon, por unë besoj me të vërtetë te kjo skuadër dhe te Simone Inzaghi. Shpresoj që ta kujtojmë gjatë këtë të shtunë, 31 maj 2025”.
Holandezi ka dëgjuar që Inzaghi nuk ka siguri për të ardhmen e tij tek Interi. Po çfarë mendon ai për një trajner që mund të largohet ditën pas fitimit të Champions-it, diçka e parë te zikaltrit edhe 15 vite më parë? Ja përgjigja e ish-mesfushorit të shquar: “Nuk besoj se është një situatë e ngjashme me atë të Josè në vitin 2010, nuk e imagjinoj një vendim të njëjtë.
Shpresoj që Simone të qëndrojë, sepse cikli i tij ende nuk ka përfunduar, por duhet të respektojmë zgjedhjet personale, si dje ashtu edhe sot. Nuk mund të dimë kurrë çfarë ndjejnë njerëzit në zemër dhe çfarë u kalon në mendje, sidomos një trajner që ka qenë nën presion për 4 sezone të bukura, por të vështira.
Interi është gjithmonë më i madh se çdo trajner, por çfarë mund t’i thuash Inzaghit?
Përtej çdo rezultati dhe çdo vendimi që mund të marrë për të ardhmen, ai e ka rikthyer klubin në nivelin më të lartë, aty ku qëndrojnë skuadrat më të mira në botë. Respekti nuk blihet, Simone e ka fituar respektin e gjithë botës së futbollit me punë dhe rezultate tek Interi”.