Në mbrojtje të fëmijëve, Franca merr vendim për duhanin në vendet publike

- Bota Sot

Në mbrojtje të fëmijëve, Franca merr vendim për duhanin në vendet publike

Pirja e duhanit do të ndalohet nga 1 korriku në të gjitha hapësirat publike të frekuentuara nga fëmijët në Francë dhe shkeljet e rregullave të reja do të ndëshkohen 135 euro.

Lajmi u bë i ditur sot nga ministrja franceze e Shëndetësisë dhe Familjes Catherine Vautrin, sipas së cilës ndalimi i ri do të përfshijë plazhet, parqet, kopshtet publike, zonat përpara shkollave, stacionet e autobusëve dhe fushat sportive, por jo edhe tarracat e kafeneve dhe bareve.

“Duhani duhet të zhduket aty ku janë fëmijët. Liria për të pirë duhan përfundon aty ku fillon e drejta e fëmijëve për të marrë frymë të pastër”, tha Vautrin për Ouest-France, raporton KosovaPress.

Cigaret elektronike tani për tani nuk mbulohen nga ndalimi, por ministria po punon për vendosjen e kufizimeve në sasinë e nikotinës që ato përmbajnë.

Sipas Qendrës franceze për monitorimin e barnave dhe varësisë, njëzet e tre për qind popullsisë konsumon duhan çdo ditë, ndërsa Komiteti Kombëtar për Luftimin e Duhanit vlerëson se mbi 75 mijë njerëz në Francë vdesin çdo vit si pasojë e sëmundjeve të shkaktuara nga duhani.

Pirja e duhanit në ambiente të mbyllura si restorante dhe klube është ndaluar që nga 2008, ndërsa vitin e kaluar u njoftua se ndalimi do të shtrihej në plazhe dhe hapësira publike, por rregullorja nuk u miratua.

Më shumë se një mijë e pesëqind komuna franceze tashmë e kanë ndaluar pirjen e duhanit në hapësira publike, përfshirë edhe plazhet. 



Read it all at Bota Sot