KEK-u ka nisur furnizimin me energji për ndërmarrjet në tregun e lirë

- Gazeta e Prizrenit

KEK-u ka nisur furnizimin me energji për ndërmarrjet në tregun e lirë

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se nga sot, më 1 qershor, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka filluar të furnizojë me energji ndërmarrjet që operojnë në tregun e lirë, por që ende nuk kanë arritur të lidhin kontrata me furnizues të tjerë.

KEK tashmë vepron në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF).

Sipas njoftimit të KEK-ut, energjia për këto ndërmarrje për ditën e sotme është siguruar me një çmim mesatar prej 64.55 euro për megavat orë (€/MWh), përmes Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX).

Ministrja Rizvanolli u ka bërë thirrje të gjitha ndërmarrjeve të cilat kanë kaluar në treg të lirë që, brenda afateve ligjore, të nënshkruajnë marrëveshje furnizimi me KEK-un si FMF, ose të zgjedhin furnizues alternativ sipas preferencës së tyre.

“KEK është në dispozicion për të ofruar të gjitha informacionet e nevojshme për furnizimin përmes këtij mekanizmi,” ka theksuar Rizvanolli, duke shtuar se pret nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) të monitorojë tregun me përpikëri dhe të ndihmojë në lehtësimin e tranzicionit për të gjitha palët e përfshira.


Qeveria e Republikës së Kosovës, tha Rizvanolli, mbetet e përkushtuar për të ndihmuar ndërmarrjet që tashmë kanë kaluar në tregun e lirë që të gjejnë zgjidhjet më të favorshme për nevojat e tyre energjetike.

“Sa më shpejt që ndërmarrjet të kenë qasje në informata të sakta, aq më i shpejtë dhe më i lehtë do të jetë tranzicioni për to,” përfundoi ministrja në detyrë.



Read it all at Gazeta e Prizrenit